Parathënie nga prof.dok.Skënder Kodra
Qëndrimi ndaj AIDS-it është bërë? sot një çështje që i ve në provë seksologët.
Seksologjia prej shumë kohësh i ka studiuar sjelljet seksuale njerëzore, por si shkencë ajo është themeluar nga fillimet e shekullit të kaluar. Sot ajo lulëzon kudo në botë. Këtë e tregon zhvillimi i? shumë kongrese ndërkombëtare seksologjike që kanë filluar të mbahen që përpara Luftës së Dytë Botërore? në Europë, në Sh. B. A., në Izrael, në Azi dhe në Amerikën Latine.
Tani është koha që seksologët e të gjitha vendeve të? prekura nga AIDS-i të flasin e të ofrojnë ekspertizën e tyre. Të gjithë duhet t’i bashkojnë përpjekjet për parandalimin e AIDS-it. Ata duhet të informojnë dhe të mbështetin njeri-tjetrin nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar në rritje. Ky libër dhe gjithë puna e autorit të tij është një shembull në këtë drejtim…Akademia e Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane në New York, nëpërmjet Nënkryetarit të saj Dr. Adem Harxhit ka qenë vazhdimisht e informuar për sjelljet seksuale të njerëzve tanë. Artikujt e shumtë të shkruara në shtypin e përditshëm,? librat e botuara prej tij si “Seksualiteti dhe Seksi”, “Fëmijët Duan të Dinë për Seksin”, ky libër “HIV/AIDS-i dhe të Rinjtë”, si dhe puna e tij e jashtëzakonshme edukative shumë vjeçare në emisionin televiziv “Linja e Kuqe”, tregojnë se Dr. Harxhi për shumë vjet ka pasur për qëllim? të kërkojë dhe të ruajë kontakte të ngushta me njerëzit e të gjitha stileve të jetës seksuale, në? të gjitha ambientet e ndryshme shoqërore.
Në saje të punimeve të Dr. Harxhit ne? dimë se sa i gjerë është spektri seksual i njerëzve dhe se sa unik është çdo individ.
Ne besojmë se me shqetësim të veçantë dhe me kuptim më të mirë, shumë njerëz që janë tani në rrezik nga AIDS-i, mund të ndihmohen që të arrijnë dy qëllime të mëdha:
a-Të ndryshojnë sjelljet e tyre seksuale
b-Të evitojnë rreziqet e infektimit me HIV.
Merita e madhe e Dr. Harxhit është se ndryshe nga shumë edukatorë dhe seksologë të tjerë të kohës, ai insiston që njerëzit t’i arrijnë këto qëllime duke gëzuar gjithnjë e më shumë kënaqësinë e jetës së tyre seksuale! Ky është motivi i gjithë punës së tij në fushën e seksologjisë, në gjithë këto vite të gjata pune.
Arritja e këtyre dy qëllimeve është gjëja e vetme që premton për një shpresë afatgjatë, për sa kohë nuk ka vaksinë dhe mjekim të përshtatshëm e të suksesshëm kundër HIV/AIDS-it.
Shpresoj që ky libër? të lexohet? nga të rinjtë dhe nga të gjithë edukatorët, mjekët, seksologët, juristët, politikanët dhe qeveritarët e interesuar, kudo ku janë. Uroj që përpjekjet e tyre të bashkohen për t’i shërbyer jetës, duke futur të gjitha dijet e tyre në mbrojtje të saj.
Prof. Doktor, Skënder Kodra Ph.D
Kryetar i Akademisë Shqiptaro- Amerikane të Shkencave dhe Arteve,
N.Y. Qershor 2008
Hyrje
Po qe se pyesni prindin, shokun, mësuesin se çfarë është AIDS, me siguri, që ata jo vetëm dinë emrin e sëmundjes, por do të jenë në gjendje t’u tregojnë diçka më shumë për të. Nuk ka asnjë dyshim, që edhe ju vetë dini diçka për AIDS-in (Acquired Immunodeficiency Syndrome) dhe për HIV-in (Human Immunodeficiency Virus).
AIDS është një nga sfidat më të mëdha, me të cilat përballet sot popullsia e të gjithë botës. Sot në botë ka mbi 44 milionë njerëz që jetojnë me HIV dhe AIDS. Ky është një numër shumë i madh dhe çdo vit gjithnjë e më shumë njerëz infektohen. Kjo do të thotë që çdo njeri duhet të dijë si ta mbrojë veten.
Për luftimin e kësaj sëmundjeje që ka prekur kaq shumë njerëz kudo në botë, përfshi dhe vendin tonë, ka shumë rëndësi kujdesi që do të bëjë çdo person për të mos u infektuar.
Duhet të njihet mirë origjina e sëmundjes, çfarë është dhe si e prek? ajo trupin e njeriut, veçanërisht, sistemin e tij imunitar.
Ka shumë njerëz të infektuar me HIV që jetojnë gjatë dhe bëjnë jetë të shëndetshme. Ky fakt duhet të shërbejë për të larguar çdo keqinformimin dhe konfuzionin që kanë njerëzit e shëndoshë dhe të infektuar për sëmundjen.
Në faqet e këtij libri ka gjithçka që duhet mësuar për HIV-in dhe për AIDS-in. Virusi dhe sëmundja do të shpjegohen që nga momenti kur një njeri infektohet në fillim me virusin e HIV-it, e deri në shfaqjen e të gjitha shenjave të sëmundjes. Do të diskutohen mënyrat se si njerëzit mund të mbrohen nga infektimi me HIV, si dhe mjekimet e reja që përdoren sot. Ndonëse historia e sëmundjes është e shkurtër, rreth një çerek shekulli, shkencëtarët dhe kërkuesit po punojnë shumë fort për ta luftuar sëmundjen. Në këtë luftë, edukimi i të rinjve për AIDS-in dhe HIV-in është me shumë rëndësi.
AIDS dhe shoqëria: E ardhmja
Qysh nga shfaqja e beftë e sëmundjes në vitin 1981 në Sh.B.A, AIDS ka marrë afërsisht 4 milionë jetë njerëzore në të gjithë botën. Ekspertët mendojnë se numri i njerëzve të infektuar me HIV, virusin që shkakton AIDS, të jetë mbi 100 milion njerëz. Këta të infektuar nuk do të kalojnë të gjithë në sëmundjen e AIDS, por shumë miliona prej tyre do të vdesin nga kjo sëmundje në dekadat që do të vinë. Ky virus me rrezik për jetën është i pranishëm në çdo vend të botës dhe është një nga çështjet më të mprehta mjekësore me të cilën ballafaqohen sot të gjitha kombet.
Natyrisht, AIDS nuk është sëmundja e parë që shkaktoi dhe vazhdon të shkaktojë kaq shumë vuajtje dhe humbje jetësh në botë. Historia njerëzore është e mbushur me tregime rrëqethëse të sëmundjeve epidemike shkatërruese.? Në shekullin e katërmbëdhjetë plasja bubonike mori rreth 75 milion jetë në Europë, Azi dhe Afrikë. Ky bakter virulent i njohur si shkaktari i “Vdekjes së Zezë”, ishte përgjegjës për fshirjen nga faqja e dheut e një të tretës së popullsisë së botës. Një shembull edhe më i afërt, që shumë shqiptarë të vjetër mund ta mbajnë mënd edhe sot, është gripi epidemik i vitit 1918 që shpërtheu kur Lufta e Parë Botërore vazhdonte në Europë. Ky virus vrastar i gripit, vrau brenda një viti rreth 22 milionë njerëz në të gjithë botën.
Ndonëse zbulimi i shkaktarëve të sëmundjeve si dhe zbulimi i antibiotikëve e vaksinave gjatë shekullit të XX, pakësuan në mënyrë të ndjeshme përhapjen dhe vdekjen prej sëmundjeve infektive, ato nuk kanë fshirë nga faqja e dheut të gjitha epidemitë serioze. Ka akoma një numër të madh sëmundjesh infektive, të vjetra dhe të reja, që kërcënojnë botën moderne: Malaria vret rreth 4000 njerëz në ditë; Fruthi është fatal për rreth një milion fëmijë në vit dhe tuberkulozi morri rreth 30 milion jetë njerëzish në fund të shekullit të njëzet.
Shumë viktima të sëmundjeve moderne jetojnë në vendet në zhvillim ku varfëria, kequshqyerja dhe shërbimi mjekësor i papërshtatshëm janë të përhapura dhe ku mrekullitë e mjekësisë moderne si vaksinat dhe antibiotikët janë të pamjaftueshme. Lidhja midis varfërisë dhe shëndetit të keq është e dukshme kudo në botë. Edhe tek ne shumë njerëz janë prekur nga varfëria ekstreme, nga mungesa e shtëpive dhe? ngushtica e strehimit, nga përdorimi i drogave dhe nga ushqimi i keq. Këto kondita sociale të këqija, sipas ekspertëve, janë shkaku i pranisë dhe përhapjes së shumë sëmundjeve. Përqindja e lartë e infektimit me HIV/AIDS midis të varfërve, minoriteteve dhe pjesës pa perspektivë të shoqërisë, flasin për nevojën urgjente të marrjes së masave të ndryshme ekonomike dhe sociale, për përmirësimin e shëndetit të popullit.
Për të përmirësuar shëndetin e të gjithë qytetarëve, duhet të përmirësohen pa diskutim niveli i edukimit dhe oportunitetet për punë. Të rriten niveli i jetës dhe mundësitë për t’u mjekuar. Të përmirësohen programet për parandalimin e përdorimit të drogave dhe për mjekimin e tyre.