Kontributi i Frojdit në Seksualitetin Human

Frojd(Me rastin e 70-vjetorit të vdekjes së Frojdit)

Gjysma e parë e shekullit të XX. Njerëzimi përpiqej të shpjegonte sekretet e mendimit njerëzor. Historia kishte ftuar mendjet më të fuqishme, që të shpalosnin të fshehtat e trurit të njeriut. Janë shumë ata që kontribuuan në këtë fushë. Prej tyre spikatin katër. Katër titanë të mendimit.

Ata ishin dhe akoma vazhdojnë të jenë këmbarët, mbi të cilat qëndron çdo studim i sistemit nervor dhe i mendimit. Sot, edhe pse të vdekur, ata akoma vazhdojnë të jenë këmbarë të fuqishëm.

Njëri austriak, një tjetër anglez, një rus dhe një spanjoll. Secili e tregoi forcën mahnitëse të mendimit të tij. Secilit natyra i dha jetë të gjatë, të mjaftueshme për të kryer punët që i dhuruan njerëzimit. Frojdi jetoi tetëdhjetetre vjeç. Sherringtoni nëntëdhjetekatër vjeç. Pavlovi tetëdhjetegjashtë. Kahal tetëdhjetedy. Të katër kanë lindur brenda një hapësire kohore të shkurtër, midis vitit 1850 dhe 1857…

“Origjina e Specieve” e Çarl Darvinit, u publikua kur ata të katër ishin fëmijë. Secili prej tyre ishte shkencëtar dhe krijues. Secili kishte mendje dhe trup të fortë, që i duhej për të punuar, ashtu siç punojnë ata që u duhet të ndryshojnë diçka të vjetër. Secili prej tyre ndryshoi diçka nga e kaluara. Ata punuan “comme un bete”, siç thoshte Claude Bernard dhe Frojdi e kishte qejf ta përsëriste shpesh…

Tre prej tyre janë të lauruar me Çmimin Nobel.
Ivan Petrovic Pavllovi (1849-1936), fiziolog i shquar rus, i mirënjohur botërisht për zbulimin e reflekseve të kondicionura. Në vitin 1904, iu dha Çmimi Nobel për punimet e tij mbi aparatin tretës. Në eksperimentet e tij përdori kafshët e gjalla, dhe e studioi çdo sistem si një proces të pandërprerë.

Ramon Kahal (Ramon Cajal, Santiago) (1852-1934). Dha kontribut të rëndësishëm për njohjen e trurit dhe të sistemit nervor në përgjithësi. Ai perfeksionoi metodën e përpunuar nga Kamillo Golgi, për ngjyrimin e indit nervor. Studioi strukturën e detajuar të trurit të madh dhe të trurit të vogël. Ramon Kahali, në vitin 1906, e ndau Çmimin Nobel për fiziologjinë me Golgin.

Sherringtoni, (Sir Charles Scott Sherrington) (1857-1952). Një fiziolog i shquar anglez, që u dallua për studimet në sistemin nervor të gjitarëve. Pasi mbaroi universitetin e Kambrixhit, Sherringtoni punoi dy vjet në patologji nën kujdesin e Rudolf Virhovit dhe Robert Kokut në Gjermani. Në vitin 1922 mori Çmimin e Kalorësit. Në vitin 1932, Çmimin Nobel për fiziologjinë, e ndau me E.D. Adrianin.

Sigmund Frojdi (Freud, Sigmund) (1856-1939)
Mësimet e Frojdit kanë lidhje direkte me seksin, seksualitetin dhe seksologjinë. Ai revolucionarizoi pikëpamjet mbi seksin. Mendimet e tij revolucionare, akoma edhe sot ndeshin në kundërshtime. Shkenca e jonë zyrtare duket sikur akoma ndruhet nga mendimet e tij.

Fillimisht, Frojdi nuk e pranonte idenë se seksualiteti ka influence kaq te madhe ne jetën e njeriut. Por observimet e tij klinike e detyruan ta pranojë këtë ide me kurajë. Ai, në punën e tij procedoi në mënyrën më të besueshme. Ai shkoi nga observimet drejt përgjithësimeve. Ai nuk filloi me spekulimet. Ai punoi si shkencëtar, jo si filozof. Analiza e vetvetes, veçanërisht, analiza e ëndrrave të tij, i dhanë Frojdit idenë e parë mbi “kompleksin e Edipit”.

Që në fillim të shekullit të XX, Frojdi deklaroi: “seksi është forca primare në jetën humane”. Ai krijoi teorinë e zhvillimit psikoseksual, që fillon herët në fëmijëri. Në formulimin e kompleksit të famshëm të Edipit, Frojdi tha se një djalë tërhiqet në mënyrë të paevitueshme, seksualisht, nga nëna. Në të njëjtën kohë, ky djalë, ka edhe ankthin e kastraksionit (tredhjes), ose një frikë inkonshiente, sepse babai do ta ndëshkojë duke i hequr penisin.

Frojdi besonte, gjithashtu, se vajzat vuajnë prej zilisë për penisin, që e kanë djemtë e ato nuk e kanë. Kompleksi i Elektrës, sipas Frojdit, është dëshira e vajzës për ta zotëruar seksualisht të atin dhe në këtë marrëdhënie të zëvendësojë nënën e saj. Kjo dëshirë e vajzës, sipas Frojdit, lind prej pakënaqësisë që ndjen vajza për trupin e saj jo të plotë (pa penis). Dhe fajin për trupin e saj deficitar e ka nëna.

Frojdi e trajton klitorin si një lloj penisi inferior, të cilin vajzat, natyrisht, duhet ta zbulojnë dhe ta manipulojnë gjatë masturbacionit. Kur vajza rritet, thoshte Frojdi, ajo duhet të abandonojë interesin e saj fëminor për klitorin dhe të përqendrohet tek vagina, që është organi receptiv për penisin.
Më vonë, Frojdi u kritikua për këto pikëpamje të tij që përqendroheshin tek penisi (phallocentriste.)

Por idetë e Frojdit ishin revolucionare dhe patën ndikim të madh mbi sjelljen e njerëzve. Në sajë të tyre, dëshira seksuale u shpalos e lirë.
Në fillim të punimeve të tij, mund ta themi pa frikë, Frojdi ekzaminoi Frojdin.

Observimet e tij tek pacientët, ai i publikoi në “Three Essays on Theory of seksuality” (1905). Konceptin e tij për natyrën seksuale të njeriut, ai e bëri të njohur si “teoria e libidos”. Kjo teori dhe zbulimi prej tij i seksualitetit infantil, ishin arsyet kryesore që larguan prej tij bashkëpunëtorët mjekësorë dhe publikun. Mënyra si u shpreh Frojdi e mërziti Sheringtonin, Pavllovi volli vrer kundër tij, Cahali i ktheu shpinën.

Frojdi është krijuesi i psikanalizës. Ishte i pari që shkencërisht eksploroi mendimin inkonshient tek njeriu. Idetë e tij influencuan thellësisht në formimin e kulturës moderne. Ato na ndryshuan pikëpamjet që ne kishim për veten.

Interesimi i tij për histerinë u nxit nga hipnoza terapeutike e suksesshme e Josef Breuer dhe nga studimet me neurologun e famshëm Zhan Martin Sharko (Charcot) në Paris. Ai mori “metodën kathartike” të Brauer, si dhe publikimet e tij për “Studime mbi Histerine” (1895).

Frojdi filloi kurimin e histerisë me anë të të folurit të lirë, që pranohet nga të gjithë, si fillimet e psikanalizës. Por edhe Breuer u ftoh prej Frojdit, kur kuptoi se pikëpamjet e tij për seksualitetin, zunë vend qendror në shpjegimin e neurozave.
Frojdi, nga ky moment ia dedikoi veten shkencës së re.

Largimi i Breuer dhe vdekja e babait (1896), shkaktuan një krizë tek Frojdi. Ai reagoi ndaj kësaj krize, duke i hyrë vetanalizës. I mbështetur emocionalisht tek miku i tij Vilhelm Flies, Frojdi eksploroi ëndrrat dhe fantazitë e tij. Këtë e bëri për të gjetur çelësin që i duhej për të shpjeguar pasionet seksuale të fëmijërisë së tij – Kompleksin e Edipit.
“Interpretimi i Ëndrrave” (The Interpretation of Dreams” (1900), ishte libri më madhor i Frojdit. Në fillim libri u injorua. Një numër bashkëpunëtorësh, që qenë grumbulluar rreth Frojdit për të studiuar dhe aplikuar zbulimet e tij revolucionare, gradualisht, u larguan. Pasuesit e tij të hershëm si Alfred Adleri dhe C.G. Jungu, u larguan që të formojnë shkollat e tyre psikologjike. Ata nuk e pranuan seksualitetin infantil, si strumbullar të veprimtarisë nervore.

Krijimtaria e Frojdit vazhdoi pa u reshtur për katër dekada. Ai krijoi një fushë krejt të re të kërkimit shkencor, e cila i dha mundësinë për të investiguar botën e brendshme të njeriut. Në këtë fushë të re, ai përdori metodat e kontrolluara të introspeksionit dhe empathisë.

Idetë e Frojdit ngjallën armiqësi të madhe, veçanërisht, midis kolegëve të tij mjekë.
Menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, Frojdi mësoi se kishte kancer në nofull. Ai luftoi heroikisht me kancerin. Pas shtatëmbëdhjetë vjet dhimbje kronike dhe 33 operacioneve kirurgjikale, zemra dhe mendja e tij pushuan. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai ishte po njësoj produktiv. Dita e tij e punës ishte tetëmbëdhjetë orë.

Ndonëse komuniteti shkencor i kohës, akoma nuk i kish pranuar punimet e tij, në vitin 1930, ai u nderua me “Çmimin Gëte (Goethe) për Literature” dhe më 1936 u zgjodh në “Shoqërinë Mbretërore” (Royal Society). Kur Nazistët okupuan Austrinë, ata kërcënuan jetën dhe punën e tij. Ai shkoi në Angli, ku vdiq më 23 shtator 1939.
Me psikanalizën, Frojdi i shtoi bazës biologjike të psikiatrisë, edhe metodat e mjekimit psikologjik. Konceptet frojdiane, që u bënë pjesë e kulturës humane, ishin aq të fuqishme, sa që u përdorën pa dashje edhe prej kundërshtarëve të tij më të vendosur. Kontributi i Frojdit vazhdon të ndjehet akoma edhe sot në botën moderne. Kontributi i tij, ashtu si ai i Ainshtajnit dhe Pikasosë, nuk mund të mohohet.

Ç’na mëson Frojdi për seksualitetin?

1-Seksi fillon tek infanti. Ky ishte zbulimi më revolucionar i Frojdit. Në vitin 1900, për shumë njerëz, kjo ide ishte neveritëse. Sot, nga shumica e njerëzve, kjo pranohet si një realitet.

2-Teoria e libidos. Kjo teori bëri që të ndryshojnë pikëpamjet e vjetra mbi instinktin seksual. Instinkti seksual përpara Frojdit, konsiderohej si instinkt i shumëzimit.

Frojdi shpjegoi se ka shumë aspekte të sjelljes fëminore, që e kanë burimin në ndijimet e këndshme seksuale, dhe që nuk kanë të bëjnë fare me shumëzimin. Kështu, thithja e gishtit dhe të dalurit jashtë të fëmijës (defekimi), që sipas tij janë sjellje të qarta seksuale, nuk kanë asnjë lidhje me shumëzimin.

Ky konkluzion pati rëndësi shumë të madhe. Ai e zgjeroi kuptimin e seksualitetit tej konceptit vetëm për shumëzim. Njerëzit, ndryshe nga kafshët, bëjnë seks për tre arsye: a-për shumëzim, b-për kënaqësi dhe c- për krijimin dhe forcimin e lidhjeve midis tyre.

Fëmija, në “fazën seksuale orale”, është tërësisht i varur nga nëna prej kënaqësisë që ai provon në gojën e tij, kur thith gjirin e nënës. Këtë kënaqësi, ai e ndjen në një moment të rëndësishëm biologjik, në momentin e rritjes së tij më të shpejtë, kur psikologjia e tij varet nga nevoja për t’u ushqyer. Kur nuk e plotëson këtë kërkesë, ai bëhet kërkues dhe agresiv.

Faza seksuale orale pasohet nga “faza seksuale anale”. Gjatë kësaj faze fëmija mëson për herë të parë si të përdorë oturakun, ose tualetin, pra, të kontrollojë funksionet e tij trupore. Kjo fazë fillon afërsisht në moshën tetëmbëdhjetë muajshe.

Mësimi i tualetit, ndërthuret me kënaqësinë anale, që vjen nga mbajtja dhe nxjerrja e masës fekale. Psikologjia e fëmijës në këtë moshë dominohet nga agresioni, smira, kokëfortësia dhe hakmarrja. Ai largohet nga dashuria për të prekur e për t’u lyer me materiet fekale (coprophilia). Tani ai kërkon pastërtinë, i pakënaqur nga pisllëku.

Faza tjetër seksuale, fillon në moshën trevjeçare. Ajo karakterizohet nga masturbacioni infantil, nga kurioziteti seksual, nga sjelljet ambicioze me shpirt gare, dhe mbi të gjitha, nga “kompleksi i Edipit”. Këto vite janë quajtur “faza fallike” e zhvillimit të fëmijës. (fallike vjen nga Phallus, që do të thotë penis).

Nga mosha gjashtë vjeç, ka një periudhë “latente”, seksualisht të qetë, në të cilën kurioziteti i mëparshëm fëminor për çështjet e seksit, zëvendësohet nga kurioziteti për të gjithë ambientin e tij rrethues. Ai ndjek shkollën dhe shumë nga energjitë e tij shkojnë për të mësuar.

Afërsisht, në moshën dymbëdhjetë vjeç, me hyrjen në pubertet, fillon një ringjallje e interesave të tij seksuale. Në këtë kohë është duke u pjekur sistemi i tij i riprodhimit. Në këtë periudhë të stuhishme, faktori qendror psikologjik i fëmijës është pasiguria. Shkaku i kësaj pasigurie është fakti që një trup plotësisht i pjekur fizikisht, duhet të udhëhiqet nga një mendje pa eksperiencë.

Fëmija ndjen nevojën të testojë dhe të provojë veten. Fillon një garë e madhe, si pasojë e mëdyshjeve të fshehura, që fëmija i ndjen në këtë kohë. Gjatë këtyre viteve, ringjallet edhe kompleksi i Edipit.

Pjekja (maturimi), ose e ashtuquajtura “faza gjenitale”, karakterizohet kryesisht nga njohja e vetes, siguria dhe kapaciteti për dashuri prej të pjekuri. Kjo mënyrë sjelljeje bëhet e mundur ngaqë ai, në këtë moment, ka larguar atë që deri tani ishte kryesore, shqetësimin për veten. Të gjitha fazat e kënaqësisë seksuale pregjenitale, përqendrohen kryesisht tek vetja, janë ego- centriste.

Ato janë narcistike, sepse i riu në këtë moshë është i shqetësuar për rritjen e tij, për ambientin e tij fizik dhe mendor. Vetëm kur ka arritur rritjen dhe është bërë i aftë për veten e tij, ai bëhet i zoti ta kthejë dashurinë nga vetja tek një tjetër.

Këto mësime kanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe duhet të njihen mirë nga ata që kanë marrë përsipër mirërritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve, gjatë gjithë periudhave të zhvillimit të tyre.

Pa dyshim, Frojdi ishte një shkrimtar krijues, po aq sa dhe shkencëtar. Megjithatë, ai nuk fitoi “Çmimin Nobel” për shkrimet. Nuk e fitoi “Çmimin Nobel” as për shkencën. Komitetet, sa ishte gjallë (ky çmim u jepet të gjallëve), kurrë nuk menduan se ai e meritonte atë çmim, ndonëse influenca e tij në botë është shumë tronditëse (për mirë, apo për keq).

Në kohën viktoriane, kur jetoi Frojdi, të flitje për seksin ishte turp. Mendimi se incesti (kompleksi Edipit) është pjesë mendjes së infantit inocent, nuk mund të pranohej. Ideja që hodhi Frojdi, se jeta seksuale e dominon sjelljen tonë, mund ta çonte gjithkënd në disiluzion.

Kush përpara Frojdit do të kish pohuar hapur, se buzët janë ndërtuar për lojë seksuale? I porsalinduri thith çdo gjë. Ai thith një biberon gome dhe jargëzohet mbi një kukull të pistë, ashtu siç do të bëjë njëzetë vjet më vonë, me një të dashur. Ishte Frojdi që tha, se çdo nënë e dado e di këtë fakt.

Ai mbante mend dadon e tij. Ndonëse, tanimë e vdekur, ai e ndjeu atë, e nxori nga skutat e errëta të mendjes së tij dhe e solli në pjesën e ndritur të saj. Mendja e Frojdit, tmerrësisht unike, shkoi akoma më larg. Ai gjeti simbole seksuale në gjërat e thjeshta, në aktin e ushqyerjes, në kopshtari, në procesin e gatimit.

Pa dyshim, këto simbole seksuale janë kudo, madje edhe në çdo kishë, por ishte zor të thuhej kjo e vërtetë në kohën viktoriane. Atë e tha vetëm Frojdi. Ndërsa sot, ky mendim shkon hapur, ose i maskuar rrugëve, kudo në botë.

Atë e gjen në grupet dhe klubet e të rinjve dhe të moshuarve. E gjen tek shkrimtarët, në novelat dhe filmat e tyre. E gjen në traktatet e filozofeve, të priftërinjve, bile edhe në shkrimet e ndonjë pape.
Frojdi dëshiroi ta ndajë meritën për pikëpamjen e tij më të shquar, edipizmin, me Sofokliun; grekun, që ishte i pari frojdian i botës. Vjena moderne takoi Athinën antike. Frojdi besonte se Sofokliu e nxori “Edipin Mbret” nga thellësia e tij.

Ai besonte se sa më i madh të jetë një dramaturg, aq më shumë nga jeta e tij personale fut brenda dramës. Natyrisht, këtë e bën jo dukshëm, e bën fshehurazi. Dramaturgu, vigjilon si të gjithë në sipërfaqe, jo tek ajo që është groposur thellë. Janë personazhet e dramës së tij, që bëjnë shkrirjen e mendjeve të tyre me mendjen e shkrimtarit.
Sot, më shumë se çdo gjë, psikiatrit nuhatin seksin tek të sëmurët e tyre. Ka shumë seks në çdo skenë. Cila pjesë do të qëndronte në skenë pa seksin? Njerëzit e të gjitha kohërave kanë pretenduar ta gëzojnë seksin dhe, sigurisht, kanë luftuar për këtë.
Janë pikërisht këto kontribute të Frojdit, që e vunë seksualitetin në qendër të veprimtarisë së lartë nervore. Në sajë të këtyre punimeve, njerëzit, sot, kudo, e shqiptojnë fjalën “penis”, një lloj sikur të thonë “hunda”

Dr. Adem Harxhi
New Jersey 09/09/09

One Response to Kontributi i Frojdit në Seksualitetin Human

  1. Aya says:

    begi mir ekishe bo tanny em peqelj shum sidomos edhe kjo qika flloun perfekt ekish super dyt njeri weq next edhe me naj new 2010

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>