Pyetje:
I nderuar doktor, ju falenderoj për të gjitha informacionet që shpërndani tek ne. I vlerësoj shumë këshillat dhe përpiqem të bëjë atë që na sugjeroni. Mbas lindjes së fundit që pata para 9 vitesh, unë nuk kam bërë më asnjë vizitë tek mjeku gjinekolog.Tani po flas vetëm për atë që ndjej. Asnjëherë nuk kam patur ndonjë dhimbje apo ndonjë shenjë infektive vaginale, me një fjalë nuk kam pas shkas për kontrolle. Ndihem shumë mirë me shëndetin tim, edhe në seks nuk kam ndonjë dhimbje apo diçka tjetër,dhe pikërisht për këtë dua t’ju pyes se a ndodh që mos të kesh simptoma dhe njëherësh të jesh keq, dhe të mos e kuptosh fare? Nëse do të vëreja diçka të vogël unë patjetër që do të drejtohesha tek mjeku. Ju faleminderit doktor, edhe kjo që na mundësoni është një pjesë e vizitës konsultuese.
Përgjigje:
Në qoftë se nuk ke asnjë shqetësim nga sfera gjenitale dhe seksuale, ke të drejtë të mendosh se ti nuk ke asgjë për t’u shqetësuar.
Nga ato që më shkruan supozoj të jesh rreth moshës 30 vjeç dhe gratë e kësaj moshe, të martuara dhe me fëmijë bëjnë mirë që të bëjnë çdo vit një ekzaminim tek mjeku i tyre gjinekolog, për arsye profilaktike. Po ashtu çdo grua duhet të bëjë periodikisht ekzaminime të mamografisë dhe Pap- Testin, për të parë gjëndjen e gjinjve dhe qafës së mitrës. Këto ekzaminime, ndihmojnë të kapen sa më herët ndryshimet në këto organe, me shumë rëndësi për jetën e gruas.
Si përfundim, edhe pse nuk ke ankesa dhe e konsideron veten të shëndoshë nga ana gjinekologjike dhe seksuale, unë të këshilloj që vizitat periodike, profilaktike të domosdoshme siç janë mamografia dhe Pap-testi duhet t’i bësh në mënyrë periodike të rregullt.
Gëzoje shëndetin që ke dhe paç fat.
Doktori