Mbesa një vjeç Masturbon

PYETJE:
Z. Adem! E shtyrë nga një nevojë e madhe detyrohem t’iu shkruaj këtë mesazh.

Jam një gjyshe nga Tirana dhe interesohem për mbesën time pesë vjeçare, pasi e kam rritur vetë që kur ajo ishte 6 muashe. Problemi që unë kam është pak? i çuditshëm për një fëmijë kaq të vogël, prandaj dhe kam hezituar deri tani për të bërë një konsultë pasi nuk di se ku ta bëja……

Ky fëmijë që kur ka qënë në moshë fare të vogël rreth një vjeç e gjysëm jo si çdo fëmijë tjetër, kthehej mbrapsht, ashtu me pelena dhe bënte disa lëvizje që na çudiste. Në atë kohë nuk donim ta besonim se ato lëvizje që bënte donin të thoshnin diçka, megjithëse na bënin shumë përshtypje. Kur filloi të bëhesh më e madhe vazhdoi të bënte të njëjtat lëvizje por tani më të evidentueshme dhe shumë të theksuara. Me këto lëvizje dua të të them që ky femijë duket sikur kërkon të kryejë marrëdhënie, por në pozicionin që ajo qëndron, vetëm meshkujt veprojnë. Nuk e di se si t’ia vë emrin vetëm di të të them se jemi shumë të shqetësuar dhe nuk dimë se çfarë të bëjmë. Këto veprime nuk është se i bën përherë, i ka me periudha, por këto kohët e fundit i ka më të theksuara. Kur neve mundohemi që ta ndalojmë duke i thënë se nuk duhet të veprojë në këtë mënyrë ajo na shikon dhe nuk vepron, por e shikoj që? më vonë bëhet shumë nevrike. Kam arritur dhe ta pyes dhe t’i them? se çfarë ndien kur bën kështu, ajo më përgjigjet se nuk e di. Është për të ardhur keq doktor të shikosh një femijë pesë vjeçar të ketë probleme të tilla. Para nja dy vjetësh jemi konsultuar me një psikologe, se të themi të drejtën nuk dimë se me kë të konsultohemi dhe na ka thënë që mundohuni që t’ia ndaloni sa të mundni që mos ta kryej si veprim dhe në qoftë se nuk e harron deri në moshen 5-6 vjecare duhet të mare mjekim. Tani që ajo e kaloi këtë moshë jemi shumë të shqetësuar…
Z.Adem ! nuk e di a dita t’ua? shpjegoj qartë problemin që mua më shqetëson? Në qoftë se juve keni nevojë për më shumë informacion me pyesni, ose në qoftë se unë jam shpjeguar qartë iu lutem brënda kufijve të njohjes suaj për këto probleme, ju lutem më shkruani sepse jemi shumë të shqetësuar.
Do t’ua di shumë për faleminderit në qoftë se ju do ta merrni seriozisht këtë problem, sepse unë kam shumë frikë për të ardhmen e këtij fëmije se vjen duke u rritur dhe nuk i dihet me këtë kohë që ka ardhur sot.

Falemnderit nga një gjyshe.

PËRGJIGJE:

Kjo është një pyetje shumë e bukur të cilën ma kanë bërë veçmas, në emisionet televizive dhe në e-maile shumë prindër. Me që është një çfaqje jo e rallë dhe që i shqetëson prindërit vendosa që përgjigjen e e-mailit tënd ta jap në gazetë duke menduar se kështu do të përfitojnë shumë prindër.

Sjellja e vajzës tuaj është një sjellje normale dhe ai quhet masturbim ose vetë-kënaqësi. Ajo nuk vepron si meshkujt e rritur, por ajo në atë pozicion ka gjetur mundësinë të ngacmojë organin e saj seksual.

A është masturbacioni i rrezikshëm tek fëmijët?

Përgjigja për këtë pyetje është e një “JO” e madhe.

Masturbacioni nuk është i rrezikshëm në atë kuptim që ishin të shqetësuara gjeneratat e mëparshme të prindërve. Përfundimisht duhet thënë: Masturbacioni nuk çon në sëmundje dhe në asnjë lloj tjetër dëmtimi të shëndetit. Sot masturbacioni konsiderohet si një veprim normal për zhvillimin seksual të fëmijës.

Masturbacioni fillon në fëmijët e vegjël dhe është shprehje e interesimit të tyre natyral për të prekur dhe ndjerë trupin e tyre. Ata në moshë shumë të herët zbulojnë se kanë një ndjenjë kënaqësie dhe gëzimi nga prekja dhe fërkimi i gjenitaleve. Është kjo arsyeja që ata e bëjnë këtë një zakon që u ka shqetësuar shumë juve si prindër.

Ky është një shqetësim i kotë. Masturbacioni nuk shkakton sëmundje psiqike, as qorrim, as dëmtime në lëkurë, as prishje të funksionit seksual kur fëmija do të rritet si dhe asnjë shqetësim tjetër nga të cilat tremben prindërit. Ajo që mund të ndodhë dhe që nuk duhet të lejohet të ndodhë, janë ndijimet jo të shëndetëshme dhe ndjenja e ankthit dhe e fajit që kap fëmijën kur prindërit e ndëshkojnë dhe bëjnë sherr me të për arsye se ai ose ajo masturbon. Kjo sjellje e prindërve është kërcënim i vërtetë për shëndetin mendor të fëmijës ndërsa vetë masturbimi nuk është i dëmshëm.

Kur vajza juaj do të tërhiqet prej kënaqësive të tjera që do të vinë nga interesa të tjera të saj në jetë, ajo vetiu mund të heqë dorë nga masturbimi. Pra, në vënd që ta ndëshkoni dhe ta ndaloni fëmijën të masturbojë, krijoni për të mundësitë që të zgjerojë rrethin e interesave të saj.

Disa fëmijë edhe pse nuk janë kërcënuar direkt, duket se e ndjejnë shumë herët që masturbimi është diçka që nuk pranohet nga prindërit. Po qe se vajza juaj ndjen se shqetësohet prej masturbimit, ndihmojeni që të gjejë kënaqësi të tjera. Jeta e saj nuk duhet të jetë passive dhe me periudha pushimi shumë të gjata. Ajo ka nevojë të merret me veprimtari të ndryshme. Ajo kërkon më shumë kohë dhe afeksion prej prindërve të saj.

Ka shumë rëndësi që të evitoni kriticizmin e rreptë dhe kërcënimet e frikëshme dhe mos i nxirrni bisedat në “Pazar” qoftë edhe me simpati. Fëmija nuk dëshëron të flitet për masturbimin dhe nuk dëshëron ta detyroni për këtë.

A do të bëhet masturbimi një zakon i keq?

Nuk ka asnjë arsye të shqetësoheni për këtë. Masturbimi në çdo periudhë zhvillimi të fëmijës nuk ndryshon dhe nuk paraqet ndonjë rrezik. Masturbimi I fëmijve fillon në çdo kohë. Ai fillon menjëherë pas lindjes tek djemtë dhe tek vajzat, për të njëjtat arsye: për kënaqësi trupore dhe për të larguar tensionin seksual.

E theksoj edhe një herë se masturbacioni është fenomen normal dhe ai nuk shkakton asnjë nga ato sëmundjet e rënda për të cilat është akuzuar.

Ka shumë mundësi që elementi me me rëndësi në këtë situatë të jetë sjellja juaj ndaj këtij fenomeni natyral. Ju duhet ta shihni masturbimin e fëmijës (fërkimin e gjenitaleve në tapet, tek doreza e kolltukut, me dorë e tij e tj.) si pjesë të procesit të rritjes të fëmijës. Ju duhet ta kuptoni se fëmija që zhvillohet si një fëmijë me aktivitet normal, masturbon dhe është i prirur për këtë. Kjo është arsyeja pse nuk duhet ta ndaloni fëmijën nga masturbimi dhe pse ai nevrikoset, qan dhe nuk ndjehet mirë kur ju e ndërprisni, ashtu siç ndodh dhe me vajzën tuaj.

Masturbacioni bëhet problem vetëm atëhere kur fëmija ndjen faj dhe frikë prej tij. Fai dhe frika lindin kur ajo ose ai dyshon se prindërit me këmbëngulje nuk e aprovojnë këtë veprim të fëmijës. Prindërit shpesh përdorin kërcënime që në të vërtetë janë “mjekësia “ më e keqe.? Një djalit të vogël nuk duhet t’i thuhet kurrë se po do të masturbojë do ta humbasë penisin ose ai do t’i këputet. Një vajze të vogël, po ashtu, nuk duhet t’i thuhet kurrë se masturbacioni do ta lërë pa fëmijë kur të rritet.

Lidhja e duarve si dhe gjithë mënyrat e tjera fizike që përdoren për të ndaluar këtë praktikë, janë zgjidhje të gabuara dhe të pasuksesshme. Ta bësh një fëmijë të ndjejë se ai ëshë i “keq”, “i ndyrë” ose “i neveritshëm” për arsye se ai masturbon, kjo nuk ndihmon, kjo vetëm dëmton.

Mënyra më e mirë po qe se gjeni mundësinë të bisedoni për këtë subjekt është t’i shpjegoni vajzës me qetësi se masturbimi nuk ëshë kurrë i dëmshëm dhe i keq. Shpjegoini se shumica e fëmijve e bëjnë këtë- disa më shumë se të tjerët- dhe kjo është pjesë e procesit të rritjes së tyre.

Siç thamë edhe më sipër i vetmi dëm i vërtetë i masturbacionit është shqetësimi dhe ankthi që vjen prej tij. Edhe atëhere kur prindi flet pak ose aspak për masturbacionin fëmija e ndjen se të masturbosh është keq dhe diçka do të ndodhë me të po qe se vazhdon.

Prindërit, si ju, të cilët e trajtojnë masturbacionin sikur fëmija bën një gjë të madhe ndërhyjnë për keq në aktivitetin normal të fëmijës së tyre. Këta fëmijë janë ata që mund të ndjehen fatkeqë dhe pa asnjë kënaqësi në shumë fusha të jetës. Ata do të duan ta kalojnë shumicën e kohës vetëm. E kanë të vështirë të zënë shokë e miq kur të rriten. Ata shfaqin shënja të keqambjetimit, kur situatat kërkojnë ambjentimin e tyre. Kjo gjëndje e fëmijës, pa dyshim, nuk është pasojë e masturbimit, por masturbimi ekstrem që ata bëjnë tregon se fëmija është i shqetësuar dhe kërkon ndihmë. Në këtë rast këshillimi professional është i domosdoshëm.

Në vitin 2003 kam botuar librin :” Fëmijët duan të dinë për seksin”. Aty kam shkruar gjërësisht për të gjitha problemet që lidhen me seksualitetin e fëmijve. Atje ka material për prindërit, mësuesit, psikologët dhe për fëmijët. Atje do të gjesh plot material edhe për masturbacionin. Merre në Bibliotekë dhe lexoje.

Shpresoj të të kem thënë gjithçka që të duhet.

Të uroj shëndet ty dhe fëmijës tënd.

Doktori.