Gabimisht, ju përdorni fjalën vaginë, kur doni të flisni për organet tuaja seksuale. Duhet te dini se gratë dhe vajzat kanë disa organe të jashtme seksuale. Ato janë të dukshme, ndryshojnë nga njëra grua në tjetrën, sic ndryshon edhe fytyra, dhe përmblidhen nën emrin vulva.
Kur ju shikoheni në pasqyrë, ajo çfarë shihni nga gjenitalet tuaja, është vulva. Vagina bën pjesë në organet femërore të brendshme. Shpresoj që nga sot, ju do të përdorni në mënyrë korrekte fjalën vulva dhe fjalën vagina.
Mos më thoni se nuk e mbani mend emrin vulva. Kush ka një makine “volvo”, e mban mend markën e makinës së saj, atëherë, pse të mos mbani mend edhe emrin e njërës nga pjesët më të rëndësishme të anatomisë tuaj?
Tani le të fillojmë…
Normalisht, një herë në muaj, ju duhet ta kontrolloni e shikoni vulvën tuaj, ashtu siç duhet të bëni çdo muaj vetë-kontrollin e gjinjve. Kontrolli i vulvës dhe i gjinjve bëhet për të njëjtat arsye. Duke kryer vetë-ekzaminimin mujor të vulvës, ju do të jeni në gjendje të zbuloni më herët infeksionet dhe kanceret e vulvës. Planifikojeni vetë-kontrollin e vulvës në të njëjtën kohë që bëni edhe vetë-ekzaminimin e gjinjve çdo muaj dhe bëjeni menjëherë pas menstruacioneve . Kjo është një mënyrë që të mos e harroni ta ta bëni.
Për të parë vulvën tuaj, juve u duhet një pasqyrë dhe një burim drite i afërt. Ju mund ta shikoni vulvën tuaj duke qëndruar në këto pozicione :
· Shtrihuni në shtrat dhe vendosni një jastëk në të ndenjurat.
· Qëndroni në anë të karriges.
· Vini njërën këmbë në ndenjësen e karriges.
· Uluni në ndenjësen e tualetit.
· Qëndroni mbi gjunjët e hapura, pasqyrën vendoseni midis gjunjëve.
· Qëndroni këmbëkryq, pasqyrën vendoseni mbi pulpat tuaja.
Me një pasqyrë në njërën dorë, shikoni me kujdes vulvën tuaj, duke filluar nga mons pubis dhe përfundoni tek anusi. Bëni kujdes të hapni buzët e vaginës dhe të tërhiqni mbrapa lafshën e klitorit. Shikoni me kujdes për çdo rritje që mund të ketë siç janë flluskat, lythat, ose çdo formacion tjetër. Po qe se keni diçka jo normale, shikojini ato rregullisht që të dalloni në se rriten, ose ndryshojnë ngjyrë. Vini re çdo ndryshim të lëkurës në zonën gjenitale. Shikoni për vatra të bardha, të kuqa, ose me ngjyrë të errët. Kontrolloni për çdo ënjtje dhe për çdo rrjedhje jo të zakonshme. Kontrolloni për ndonjë plagë të vogël që dhemb. Për çdo gjë jo normale që do të gjeni, bisedoni me doktorin tuaj.
BËNI KUJDES PËR VULVËN TUAJ
Pastrimi i Vulvës
1- Lajini buzët e vulvës me sapun të butë, hypoalergjenik, ose mos përdorni fare sapun. Evitoni sapunët e fortë, sapunët me ngjyra, sapunët me deodorantë dhe me parfume të ndryshme.
2- Hapini buzët e mëdha dhe pastroni lëndën si dhjamë midis buzëve të mëdha dhe buzëve të vogla. Sekrecionet e trasha ngjitëse, që dalin nga gjëndrat në buzët tuaja, grumbullohen midis buzëve të mëdha dhe të vogla dhe larja me dush nuk i largon prej andej. Përdorni një pece të butë të njomur, ose përdorni dush si dorezë, të cilin do ta drejtoni në këtë vend dhe i hiqni të gjitha këto sekrecione.
3- Për ta mbajtur klitorin të pastër e të shëndetshëm, tërhiqni mbrapa lafshën e klitorit dhe me ujë të ngrohtë dhe me një pece të butë, fshijeni me kujdes dhe largoni të gjitha sekrecionet që mblidhen midis kokës dhe lafshës së klitorit. Këto sekrecione që tek djemtë quhen smegma, janë të trasha, përmbajnë qeliza të lëkurës dhe yndyrë nga gjëndrat e lafshës dhe mund ta ngjisin lafshën me kokën e klitorit. Kur kjo ndodh, ju do të keni dhimbje gjatë interkursës, ose masturbimit.
4- Lajeni vulvën dhe hapjen vaginale pasi keni bërë seks. Kjo do të thotë që po keni bërë seks në mbrëmje, ju duhet të laheni përpara se të flini. Bëni kujdes të hiqni mbeturinat e kremrave, mjaltit, çokollatës, ose të xheleve aromatike, po qe se këto produkte i keni përdorur gjatë lojës seksuale. Kur këto produkte qëndrojnë atje për shumë kohë, mbeturinat e tyre mund të irritojnë buzët, ose shkaktojnë infeksione. Ju duhet të dini, se shija dhe era më e mirë për buzët e vaginës tuaj, është shija dhe era e tyre natyrale.
5- Sa herë bëni banjë ose dush, shpëlani me kujdes vulvën dhe vaginën që të mos mbetet atje sapun. Pas larjes, vulvën thajeni mirë. Përdorni blow-dryer-in që përdorni për flokët, por jo me nxehtësi të lartë, ndryshe, do digjeni. Kjo është një mënyrë që do t’u kënaqë dhe do të largojë lagështinë.
6- Mos bëni dushe vaginale. Kjo do të thotë mos bëni shpëlarje të vaginës me ujë, ose me ujë e sapun, ujë e jod, ose ujë e uthull. As me lëndët që mund t’i gjeni të gatshme në farmaci, mos e shpëlani vaginën. Kuptojeni mirë, dushe të vaginës nuk duhet të bëni. Këto dushe largojnë nga vagina bakteret e mira, ndryshojnë balancën kimike të vaginës dhe rritin shanset për infeksione. Ato rritin, gjithashtu, mundësitë që të sëmureni me Sëmundjen Inflamatore Pelvike (infeksion në tubat e Fallopit)
Disa zakone të vlefshme të përditshme
1- Gjithmonë fshihuni me drejtim nga përpara – mbrapa, ose nga vulva për tek anusi. Po të fshiheni në drejtim të kundërt, bakteret nga anusi do t’i sillni në vaginë, ku ato do të zhvillohen dhe do të shkaktojnë infeksione të vaginës.
2- Përdorni, vetëm, letër tualeti të bardhë, pa aroma dhe të pa përpunuara me zbardhues, zgjidhni letra që shkruajnë “unbleached”. Ngjyrat dhe erërat (fragrancat) në produktet e letrave intime, shkaktojnë iritime.
3- Mos përdorni tamponë, lines dhe sende të tjera të kësaj natyre, që kanë deodorantë. Gjaku menstrual nuk ka asnjë lloj ere. Vetëm kur zhvillohen bakteret, gjaku menstrual merr erë të papëlqyeshme. Në qofte se i ndërroni shpesh lines dhe tamponët, ju nuk do të keni probleme me erën.
4- Evitoni pudrat që përmbajnë pudër talk. Është, plotësisht, e provuar, se pudra talk rrit rrezikun për kancere të ovareve.
5- Evitoni “sprays femërore higjienike”. Ato mund të shkaktojnë reaksione alergjike, iritim të lëkurës dhe inflamacione të rënda në vulvën tuaj. Ato rritin, gjithashtu, rrezikun për infeksione të vaginës. Shija e tyre është e keqe dhe prishin kënaqësinë e lojës seksuale orale, madje, kur takon që partneri është alergjik ndaj këtyre lëndëve, nata, që me padurim e keni pritur, do t’u shkatërrohet fare.
6- Përpara se të bëni waxing, ose përpara se të përdorni një krem roje, ose të aplikoni depilatorët për të hequr qimet e pubisit, vendosni pak nga këto lëndë në një zonë të vogël të buzëve të mëdha. Kjo vlen që ju të provoni nëse keni shenja të iritimit, ose alergjisë. Çfarëdo metodë që do të provoni për heqjen e flokëve pubike, bëni kujdes që asnjë nga kimikatet të mos vijë në kontakt me buzët e vogla. Ato janë shumë të ndjeshme dhe dëmtohen prej tyre.
7- Mos fusni në vaginë asgjë, që nuk do pranoni ta fusni në gojën tuaj. Vagina është një nga vendet më të pastra të trupit tuaj. Ajo është më e pastër se goja. Kujdes, përpara se të përdorni një kastravec për kënaqësi seksuale, lajeni atë mirë.
8- Bëni kujdes, që çdo dorë që do të prekë vaginën tuaj, të jetë e pastër dhe me thonj të manykuruar mirë. Thonjtë e gjatë, janë si brisqe të vegjël në vaginë.
9- Vishni të mbathura, tërësisht, prej pambuku. Mbathjet me teksturë sintetike mbajnë lagështirën dhe nuk e lejojnë lëkurën e vulvës të marrë frymë. Ato rritin rrezikun që ju të infektoheni.
10- Kur të shtriheni në shtrat, bëni mirë t’i hiqni brekët. Në fakt, është më mirë, që ju t’i hiqni getat dhe brekët sapo të arrini në shtëpi, pas punës.
11- Mbani dietë ushqimore të mirë-balancuar dhe të shëndetshme. Kufizoni marrjen e sheqerit të thjeshtë. Dieta e pasur me sheqer rrit rrezikun për infeksione vaginale.
Kaq për sot.