Pyetje:
Doktor jam një vajzë 17 vjecare, jam në lidhje me një djalë që prej 3 vitesh dhe vitin e kaluar, në muajin gusht, vendosëm që të kryejmë marrëdhënie dhe gjithmonë e kemi bërë me kondom dhe vazhdojmë që të bëjmë ende por ne e kemi një problem te madh. Familjet tona, para 2 vitesh kuptuan që ne jemi në lidhje dhe vendosën të na ndajnë por ne prapë nuk u ndalëm duke fshehur cdo gjë nga familjet dhe vazhduam deri sot por e kuptuam që ne nuk kemi shanse të vazhdojmë më tutje për shkak të familjeve që nuk na leojnë te jemi bashke dhe ne vendosëm që unë të kryej aktin e qepjes të virgjërisë sepse po mos ta bëj këtë do të më shkatërrohet jeta…JU LUTEM unë kërkoj prej juve instruksionet se si kalon operacioni i qepjes? A ka dhimje, a duhet të qëndroj shumë në ordinancë sepse në këtë duhet ta bëjmë fshehur nga të gjithë! POR JU LUTEM QË TE MË KTHENI NJË PËRGJIGJE SA MË PARË, kemi nevojë shumë për ndihmën tuaj. Pres përgjigjen me pa durim.
Përgjigje:
Pyetje si kjo e jotja kam marrë shpesh në këtë blog. Për ty dhe për të gjitha shoqet e tua që janë të interesuara për operacionet plastike në gjenitalet e vajzave, po të dërgoj artikullin që dërgova këtë javë tek gazeta “Shekulli”
Pac fat e shëndet
Doktori
RREGULLIMET NË JUG
Duket sikur moto e kohës është “Ndrysho pamjen, që të ndryshosh jetën”. Por, ndërkohë që kirurgjia ka marrë rrugën nga jugu, drejt gjenitaleve, specialistët pyesin: A do ta gjejnë gratë kënaqësinë që kërkojnë, duke iu nënshtruar thikës?
Le të peshojmë të mirat dhe të këqijat e kirurgjisë në pjesët më private të vajzave dhe grave.
Kyçi i kënaqësisë seksuale është kur ju ndjeheni plot besim dhe të kënaqura nga trupi juaj.
Si është puna me gjenitalet tuaja?
Gratë dhe vajzat janë shumë të pasigurta lidhur me formën anatomike të gjenitaleve të tyre. Kjo ndodh për dy arsye: 1-Nga që gjenitalet femërore janë më të fshehura nga të burrave dhe 2- Prej mesazheve të dëmshme që marrin gratë nga shoqëria, dashnorët e tyre, madje, nga familjet e tyre, për “pjesët e tyre private”.
Tani, që kirurgjia kozmetike u bë gjë e zakonshme, shumë gra e vajza, kanë zgjedhur të prekin dhe të trukojnë jo vetëm gjinjtë e tyre, hundën ose kofshët e tyre, por edhe vulvat e tyre.
Doktorët që kryejnë këto operacione, thonë se këto procedura kirurgjikale janë një “evolucion” në sjelljen seksuale të grave. Gratë, thonë ata, sot kanë mundësi të rregullojnë çdo problem që i shqetëson lidhur me trupin e tyre, përfshi edhe ato pjesë që mendohet të jenë tabu.
Cili është rezultati?, pyesin ata dhe po vetë përgjigjen : “Një jetë seksuale e shëndetshme dhe e lumtur”.
A është e vërtetë që “gjenitalet më të bukura”, çojnë në më shumë kënaqësi seksuale?
Kirurgjia e gjenitaleve, shpesh, është një përpjekje e grave për të rregulluar skenën ku do të lozë një partner, por nuk është një veprim që rrit kënaqësinë seksuale të vetë gruas. Nga pyetjet dhe interesimi i vetë grave, lidhur me gjenitalet e tyre, vihet re se shumica e grave nuk janë të kënaqura me veten e tyre. Por vajzat e gratë duhet ta dinë, se edhe partneri i tyre seksual është i pakënaqur me gjenitalet e tij. Çështja ka të bëjë me standarde bukurie jo reale, që gratë shpresojnë t’i arrijnë, por që nuk ka të bëjë aspak me kënaqësinë e seksit.
Media dhe pornografia kanë krijuar një ideal jo real për anatominë e grave. Ka një problem që duhet kuptuar mirë: Seksin e bën të bukur gjendja e kënaqësisë mistike që provojmë kur bëjnë seks dhe aspak format e gjenitaleve me të cilat bëjmë seks. Të ëndërrosh dhe shqetësohesh për gjenitale që do të duken më mirë, ose për barkun që të duket shesh, kjo bën të humbasë momenti magjik dhe pengohet kënaqësia seksuale. Kështu ndodh gjithmonë me percepsionin për trupin. Gratë kështu kanë qenë prej kohësh, por sot, ato janë akoma më shumë viktima të shpresave jo reale. Janë të lumtura ato gra e vajza që mësojnë të dashurojnë dhe e pranojnë veten ashtu siç janë.
Ka shumë opsione
Kirurgët thonë se shqetësimet e vajzave dhe grave janë të ligjshme. Ata i operojnë këto gra e vajza, që luftojnë me shqetësime funksionale dhe estetike, lidhur me gjenitalet e tyre. Shumica e grave që kërkojnë operacione plastike të vulvës, janë gra, që dikur e kanë patur një problem. Shumë të tjera mendojnë, se forma e vulvës dhe gjendja e vaginës pas lindjes së fëmijës, është vërtet shqetësuese.
Dy operacionet më të zakonshme janë labiaplasty dhe vaginoplasty.
Labiaplasty. Ky operacion ndryshon pamjen e buzëve të jashtme ose të brendshme. Shumë grave, thjesht, nuk u pëlqen mënyra si u duken buzët e vaginës. Ato mund të jenë shumë të mëdha, shumë të gjata ose asimetrike. Buzët shumë të mëdha, shpesh, ngatërrohen gjatë marrëdhënies seksuale. Ato pengojnë që gruaja të merren me sport dhe ndonjëherë e pengojnë të veshë tesha të veçanta dhe rroba banje moderne.
Kirurgjia e buzëve është procedurë ambulatore, që kryhet me anestezi lokale
Vaginoplasty. Ky operacion quhet ndryshe edhe rinovim vaginal. Operacioni ndryshon funksionin e vaginës. E bën vaginën më të shtrënguar dhe tonus më të fortë.
Operacioni synon të shtrëngojë strukturat e dyshemesë pelvike në hapjen vaginale, ose brenda kanalit vaginal. Shpesh kombinohen të dyja bashkë. Kjo, zakonisht, kërkohet nga gratë që kanë kryer shumë lindje dhe muskujt vaginalë, si pasojë e lindjeve, janë lëshuar ose dobësuar.
Ndjeshmëria përmirësohet. Shtohet fërkimi gjatë interkursës dhe rivendoset një marrëdhënie më e mirë midis vaginës dhe penisit. Partnerët arrijnë më lehtësisht ekstazën seksuale.
Hoodectomy– Është operacioni që heq lëkurën e tepërt përreth klitorit. Kjo shërben për të rritur ndjeshmërinë. Normalisht, lafsha e klitorit tërhiqet kur gruaja stimulohet seksualisht. Në këtë mënyrë ekspozohet më shumë klitor i ndjeshëm, që e çon gruan në orgasmë. Ndodh që klitori në disa gra mbetet i mbuluar me lëkurë dhe e bën të vështirë arritjen e orgasmës. Hoodectomia shpesh kryhet gjatë labiaplastisë.
Hymenoplasty– Është riparimi dhe rikonstruksioni i himenit. Procedura i sjell indet përsëri së bashku sikur himeni të mos ishte shkatërruar. Kirurgjia është një opcion për gratë që ndeshen me presionin fetar ose kulturor. Sot ky operacion kërkohet më shumë nga vajzat që duan të mashtrojnë se gjasme janë virgjëresha. Sot ka shumë tipa të sofistikuara të hymenoplastisë dhe ai është bërë një biznes i madh.
Disa kirurgë bëjnë edhe injeksione kolagjeni, ose Restylane në vatrën G. Këto injeksione e bëjnë më evidente vatrën-G dhe kështu rritin ndjeshmërinë gjatë penetrimit.
Të gjitha procedurat kryhen ambulatorisht, nën anestezi. Kostoja e tyre, përgjithësisht, shkon nga 2000 deri 6500 dollarë .
Alternativat Natyrale
Shumë kirurgë janë kundër këtyre operacioneve. Ata thonë se kirurgjia gjenitale mund të shkaktojë dëmtime nervore dhe krijon cikatrikse. Të dyja këto komplikacione çojnë në humbje të ndjeshmërisë, ose në dhëmbje kronike.
Ato gra dhe vajza që nuk janë akoma të vendosura të shkojnë tek thika, bëjnë mirë të provojnë këto pesë alternativa, që shpresoj se do t’i ndihmojnë të kënaqen me anatominë e tyre seksuale.
1-Rregulloni problemet tuaja të vërteta.
Për shumicën e grave, çelësat për të arritur kënaqësinë seksuale janë:
• Të kenë imazh të mirë për trupin e tyre.
• Të krijojnë marrëdhënie të shëndetshme
• Të jenë realiste lidhur me seksin dhe moshimin.
Asnjë kirurgji nuk i rregullon dot të gjitha këto. Ato që realisht ndihmojnë janë:
• Ushtrimi fizik i rregullt
• Konsultimi me një profesionist që do t’i ndihmojë të ndjehen mirë me veten, ose të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre.
2- Bëni ushtrimet e Kegelit.
Shtrëngojini vetë gjenitalet e ëndrrave tuaja. Po të bëni këtë, nuk ka nevojë për kirurgji. Ushtrimet e përditshme të Kegelit ndihmojnë:
• Të ruhet tonusi vaginal.
• Ndihmojnë në arritjen e orgasmës.
• Rritin aftësinë tuaj për t’u eksituar seksualisht.
Si bëhen ushtrimet e Kegelit? Ju mund t’i lokalizoni muskujt tuaj pubococcigeus (Kegelit) duke ndaluar rrjedhën e urinës kur jeni duke urinuar. Këtë veprim bëjeni vetëm njëherë, sa për të dalluar këto muskuj. Kujdes! Po qe se këtë veprim e përsërisni dhe ndërprisni shpesh rrjedhën e urinës, kjo mund t’u çojë në infeksionin e vesikës urinare dhe infeksione të traktit urinar (UTI). Sapo t’i keni përcaktuar muskujt e Kegelit dhe forcën e tyre, praktikohuni t’i kontraktoni ato kur ju nuk jeni duke urinuar. Është shumë i thjeshtë shtrëngimi dhe lirimi i tyre, përsëri dhe përsëri. Ju mund t’i bëni ato kudo. Bëni 10 komplete për 10 ditë. Ju mund të bleni edhe pesha për ushtrimet e Kegelit.
3- Vajza e gra, përqendrohuni në kërkesat tuaja – jo në kërkesat e atij.
Në qoftë se partneri seksual ankohet për dukjen tuaj atje poshtë, ju duhet ta flakni atë partner. Çfarë do të ndodhte me ju, sikur ai të gjente diçka tjetër për ta kritikuar edhe pasi ju të keni bërë operacionin?
4- Provoni opsionet jo kirurgjikale
Përpara se të zgjidhni thikën ose laserin, binduni plotësisht në veten tuaj, se nuk është mërzia, monotonia dhe mungesa e teknikës së mirë, që u bën të ndjeni shqetësime atje poshtë. Sot, në treg, librat e seksit janë më të shumta se librat e kuzhinës. Bleni disa prej tyre dhe provoni disa aktivitete të reja për dhomën tuaj të gjumit. Ka shumë mundësi që në këto libra ta gjeni ilaçin për problemet tuaja.
5- Shikoni dhe mësoni
Shumica e grave, kurrë, nuk e shikojnë anatominë seksuale femërore të vërtetë. Ato shohin organet e tyre të jashtme që fluturojnë nëpër revista ose në pornografi. Pa mendoni njëherë: Sa nga modelet dhe artistet e rritura i kanë gjinjtë realë? Në qofte se jeni të shqetësuara për buzët vaginale asimetrike dhe që u duken “jo normale”, shikoni fotografitë e vërteta në librat e anatomisë. Ato janë si tuajat.
Në qofte se u pëlqen vetia kështu siç jeni, urime. Kjo është një nga afrodiziakët më të mirë për ju dhe partnerin tuaj. Kur ju, ashtu si shumë vajza dhe gra tjera, nuk ndjeheni mirë me gjenitalet tuaja, bëni mirë të konsultoheni me një doktor.