Pyetje:
Përshëndetje doktor!
Të përgëzoj për sinqeritetin dhe profesionalizmin me të cilin i trajton pyetjet tona. Kjo më beri edhe më të sigurtë të të shkruaj, pasi është hera e parë që do të flas hapur për jetën dhe problemet e mia dhe më beso, e kam shumë të vështirë. . .
Unë jam një djalë që pas disa muajsh bëj 20 vjeç. Nuk kam patur asnjë lidhje apo marrëdhënie dhe për këtë me vjen shumë keq për veten time. Më është fiksuar se më pëlqejnë djemtë dhe kam një ndjenjë goxha të madhe. E urrej veten time, pavarësisht, se unë NUK KAM ZGJEDHUR TË JEM I TILLË. PERPIQEM TE NDRYSHOJ E TË JEM SA ME AFER NORMALES. Dua të kem një lidhje dhe marrëdhënie me vajza, pavarësisht, ndjenjave te mia, por kam frikë se marrëdhënia seksuale nuk do shkojë normalisht, pra do ketë ndërprerje si pasojë e mos eksitimit nga vajzat. A jam unë homoseksual? Në se po, a mund të kthehem në normal dhe si?
Edhe një herë të falënderoj nga zemra që na jepni mundësinë të paraqesim problemet tona dhe që më bëni të ndihem optimist në këto momente të vështira për mua. Me shpresën se vërtet do të marr ndihmë dhe përgjigje nga ju.
Përgjigje:
I dashur djalë,
Letra si kjo e jotja, me shqetësime si këto të tuat, unë marr shpesh nga djem të moshës tënde dhe pakëz më të rinj. Duke qenë se është një problem që prek e shqetëson edhe djem të tjerë, do mundohem ta ndaj pyetjen tënde për arsye didaktike në disa çështje. Shpresoj, që në këto sqarime, ti dhe shokët e tu të gjeni atë që u duhet, lidhur me ndjenjat homoseksuale.
1-NGA CFARË NDRYSHOJNË HOMOSEKSUALËT, HETEROSEKSUALËT DHE BISEKSUALËT?
Këto terma përshkruajnë preferencat seksuale dhe zgjedhjen e partnerëve seksualë, që shpesh ne e quajmë orientimin seksual të një personi. Njerëzit që ndjejnë se tërhiqen, ose preferojnë të bëjnë seks me njerëz të së njëjtës gjini, quhen homoseksualë. Femrat homoseksuale quhen lesbiane. Meshkujt, sot, zakonisht, quhen gay.
Heteroseksualët tërhiqen seksualisht dhe bëjnë interkursë me persona të gjinisë tjetër (meshkuj me femra). Një emër tjetër që përdoret për heteroseksualët është “të drejtë”. Biseksualët janë ata që tërhiqen seksualisht nga persona të seksit të njëjtë dhe të seksit të kundërt.
Në të vërtetë, dallimet midis njerëzve nuk janë kaq të qarta, sa e tregojnë këtë këto emërtime. Rreth një e katërta e burrave thonë se kanë patur eksperienca seksuale me një mashkull tjetër, por, vetëm, një numër fare i vogël i tyre, e identifikojnë veten si homoseksualë.
Një studim i fundit që përdori tre karakteristika: dëshirën seksuale, preferencat seksuale të vetë-raportuara dhe sjelljet seksuale, si tre karakteristika të marra sëbashku për të përcaktuar homoseksualitetin dhe biseksualitetin, tregoi se vetëm 2.4% e burrave dhe 1.3% e grave janë homoseksualë ose biseksualë. Po qe se si kriter përdoret vetëm një nga këto karakteristika, atëherë, 10.1% e burrave dhe 8.6% e grave kualifikohen si homoseksualë.
2-A JANË SHTUAR SOT NJERËZIT ME SJELLJE HOMOSEKSUALE?
Këtë mund ta përmbledhim kështu: Në periudhën midis viteve 1988 dhe 1998 ishin të shumtë ata njerëz, burra dhe gra, që raportuan marrëdhënie seksuale me partnerë seksualë të të njëjtit seks, gjatë një viti.
Për këtë trend ka dy shpjegime që kanë kuptim dhe të dyja përfshijnë rritjen e pranimit shoqëror për homoseksualët :
Shpjegimi i parë. Numri i njerëzve që kanë partnerë me të njëjtin seks mund të jetë rritur nga që njerëzit ndjehen më të lirë të veprojnë sipas tërheqjes së tyre, pra me partnerë me të njëjtin seks.
Shpjegimi i dytë. Numri mund të ketë mbetur po ai, por tani, më shumë njerëz janë të gatshëm të pranojnë partnershipin me seksin e njëjtë.
Duhet thënë se, akoma, njerëzit me preference për seksin e njëjtë, përballen me paragjykime dhe diskriminime. Disa religjione i pranojnë njerëzit njësoj, pavarësisht, orientimit të tyre seksual, ndërkohë që religjione të tjera e dënojnë homoseksualitetin si “jo natyral” si “mëkat”. Në një studim të sponsorizuar nga organizata politike People for American Way, u dëshmua se mbi 50 përqind e të pyeturve pranuan, se marrëdhëniet seksuale me anëtarë të të njëjtës gjini, “gjithnjë janë një gjë e gabuar”. Por, me kalimin e kohës, gjithnjë e më shumë njerëz, arrijnë të kuptojnë atë që biologët e kanë ditur me shekuj përpara: shprehja seksuale ka shumë forma të ndryshme, midis të gjitha qenieve të gjalla, përfshi edhe njerëzit.
3-SI MUND TA KUPTOJ NË SE JAM GAY, LESBIANE, BISEKSUAL DHE I DREJTË?
Le të bëjmë dy pyetje: A do të thotë se je homoseksual kur tërhiqesh seksualisht nga një person me të njëjtin seks? Në qoftë se je angazhuar në aktivitete seksuale me një partner të të njëjtit seks, a u bën kjo gay ose lesbiane? Përgjigjet për këto dy pyetje janë: Jo, detyrimisht. Orientimi seksual nuk është fiks dhe universal. Ai është shumë i ndryshëm në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme.
Orientimi seksual është proces, nuk është produkt. Kërkuesja Lisa Diamond intervistoi 80 gra lesbiane, biseksuale dhe të pavendosura. Mosha e tyre ishte nga 16 deri 23 vjeç. Ajo bisedoi me gratë disa herë për dy vjet. Ajo mësoi se, ndërsa atraksioni i tyre seksual mbetej thuajse i njëjtë, gjysma e tyre e kishin ndryshuar identitetin seksual të cilin e kishin deklaruar më parë. Diamond gjeti se shumë nga këto gra tërhiqeshin seksualisht nga të dy sekset, por që nuk dëshironin të etiketoheshin si biseksuale. Gjysma e këtyre grave e kishin ndryshuar identitetin e tyre seksual shumë herë. Një e katërta e grave që vetë-identifikoheshin si lesbiane, kishin bërë disa herë seks me burra, gjatë periudhës së studimit.
Shumë të rinj, që përpiqen të përcaktojnë orientimin e tyre seksual, mendojnë se janë vetëm ata në këtë situatë. Ata ndjehen të izoluar nga të tjerët, që duken se janë shumë të sigurtë në orientimin e tyre heteroseksual. Faktet tregojnë të kundërtën. Një studim, më i fundit në Seatle, mblodhi të dhëna nga më shumë se 8.000 gjimnazistë. Afërsisht 5% e konsideronin veten gay, lesbiane, ose biseksualë. Katër përqind të tjerë thanë se ata nuk janë të sigurtë. Po t’i mbledhim bashkë këto dy kategori bëjnë rreth nëntë përqind, që do të thotë njëri në njëmbëdhjetë nxënës. Siç e shikoni, nuk janë kaq shumë, por nuk janë as pak.
Është njësoj e pranueshme të tërhiqesh seksualisht nga njerëz me seks të njëjtë, me seks të kundërt, ose nga të dy sekset. Me rëndësi është të mos bëni konkluzione të shpejta dhe të mos nxitoni ta etiketoni veten tuaj. Shpejt, duke u rritur gjatë adoleshencës, për secilin nga ju, do të vijë momenti që identiteti seksual do të ulërijë. Ju, krejt normalisht dhe lehtësisht, do të kuptoni çfarë jeni. Por, po qe se sot, ju ndjeheni në ankth ose me faj, mos prisni deri sa të dëgjoni trupin t’u ulërijë. Ju bëni mirë që për këtë, të bisedoni me një të rritur që ju i besoni, siç mund të jetë njëri nga prindërit, një këshillues, një mësues ose një doktor. Këta miq dhe të besuar, do t’u ndihmojnë të kuptoni seksualitetin tuaj, pa u ndjerë ju të turpëruar dhe të trembur.
Në qoftë se më vonë në jetë, kur ju ta keni vendosur se jeni homoseksual ose biseksual, ju duhet të jeni të aftë ta njoftoni këtë hapur pa frikën se miqtë, shokët, bashkëpunëtorët dhe familjarët do t’u paragjykojnë. Unë e di që ky pranim nuk është gjithnjë i lehtë. Shumë njerëz,akoma, e shikojnë homoseksualitetin ose biseksualitetin si jo natyral dhe të gabuar. Por, vetëm duke u përballur me sfidat, ne do të krijojmë një shoqëri që pranon dhe mbështet seksualitetit human në të gjitha format e saj.
Nga sa thashë më sipër, kuptohet se të gjitha format e orientimit seksual janë të pranueshme në mënyrë të barabartë. Prej këtej lind konkluzioni: askush nuk ka pse të jetë më krenar se të tjerët për orientimin e tij seksual dhe se nuk ka arsye ta demonstrojë në “parada krenarie” orientimin e tij seksual. Të gjithë jemi të barabartë.
4-PYETJE: NË SE DËSHIROJNË, A MUND TË BËHEN HOMOSEKSUALËT TË DREJTË?
Po qe se këtë pyetje e bëni në mënyrë publike, ju gjithmonë do të merrni njw përgjigje disaprovuese. Përgjigja nga American Psichological Association dhe American Psychiatric Association është një “Jo” shumë e madhe. Homoseksualiteti nuk është sëmundje dhe ai nuk ka nevojë për mjekim. Po ashtu, homoseksualiteti nuk është një vendim konshient, që duhet ose mund të ndryshojë.
Qeniet njerëzore nuk mund të zgjedhin vetë për të qenë gay ose të drejtë. Për shumicën e njerëzve, orientimi seksual ndihet që në adoleshencën e hershme, kur të rinjtë e të rejat, akoma, nuk kanë patur eksperienca seksuale. Ndërkaq, është në vullnetin e gjithkujt të zgjedhë në se do të veprojmë sipas ndjenjave që ka. Ashtu siç ka homoseksualë që zgjedhin të mos bëjnë kurrë seks, ashtu mund të ketë edhe homoseksualë që mund të zgjedhin të mos bëjnë kurrë seks. Por një gjë duhet kuptuar mirë, se orientimi seksual, i cilës do natyrë të jetë ai, hetero ose homoseksual, ai nuk është një zgjedhje e ndërgjegjshme, që mund të ndryshohet me vullnet.
Ka disa organizata dhe individë që thonë e zotohen se janë të aftë të ndryshojnë gay-të në të drejtë. Terapitë e “Riorientimit”, “rregullimit” ose “konversionit”, që ofrojnë predikues dhe grupe konsulentësh, duket se nuk janë shumë të suksesshme. Ndërkaq, shumë njerëz, (dhjetëra të rinj më janë drejtuar me letra në blog) duan ta ndryshojnë orientimin e tyre homoseksual në heteroseksual. Disa e kërkojnë këtë ndryshim sepse ndjejnë që orientimi i tyre seksual është në konflikt me fenë e tyre. Të tjerë janë të stresuar emocionalisht nga ndjenjat homoseksuale. Ata ndjejnë se e kanë jashtë kontrollit jetën e tyre.
Edhe pse të dhënat shkencore për “riorientimin” janë të pakta, dëshmitë nga ex-gay-të, ndonjëherë, tregojnë se riorientimi është bërë me sukses. E vërteta është se terapia në grup, që bëhet për “riorientimin seksual”, …u ofron pjesëmarrësve një kohë të gjatë, gjatë të cilës ata nuk bëjnë seks homoseksual. Gjatë kësaj kohë që ata janë në terapi, kanë më shumë kohë të mendojnë më qartë për orientimin e tyre seksual. Kjo është ajo që konsiderohet pjesa më e rëndësishme e procesit të shërimit.
Sipas Associationit Psychiatric American, terapia reparative ka shumë rreziqe potenciale, siç janë: depresioni, ankthi, dhe sjellje vetë-shkatërruese. Profesionistët e shëndetit mendor mendojnë, se përpjekjet për të ndryshuar orientimin seksual mund të ndezin vetë-urrejtjen ose përforcojnë paragjykimet sociale kundër homoseksualitetit. “Nuk ka asnjë evidencë shkencore të publikuar që të mbështesë efikasitetin e terapisë “reparative”, si një mjekim për ndryshimin e orientimit seksual të një personi” deklaroi Associationi i psikiatrave në vitin 1998
Tre vjet më vonë, Robert Spitzer një psikiatër në Columbia University, i cili në vitin 1972 kryesonte komisionin e psikiatrave që hoqën nga lista e sëmundjeve psikike homoseksualitetin, prezantoi të dhënat që e vënë në dyshim pikëpamjen e më sipërme. Spitzer intervistoi 200 njerëz që thoshin se njëherë kanë qenë homoseksualë, por që kanë ndryshuar për arsye të terapisë së “conversionit”. Rreth dy të tretat e burrave dhe thuajse gjysma e grave raportuan, se pas terapisë, si kurrë më parë, ata nuk e ndjenin atraksionin homoseksual. Disa të tjerë, të cilëve nuk u kishte ndryshuar orientimi seksual, hoqën dorë nga sjellja homoseksuale dhe thanë se ndjehen më mirë emocionalisht.”
Spenzerit, i u deshën gjashtëmbëdhjetë muaj që t’i gjente subjektet e studimit të tij , të cilët i rekrutoi, kryesisht, nëpërmjet organizatave religjioze. Ai beson se rezultatet pozitive të konverzionit janë të rralla dhe deklaron: “Unë nuk e bëj këtë lloj terapie, dhe jam skeptik lidhur me rezultatet e saj”. Ai kundërshton presionin ndaj gay-ve dhe lesbianeve, por, ai mendon se gay-të dhe lesbianet “duhet të kenë të drejtën të eksplorojnë edhe potencialin e tyre heteroseksual”