Ngucjen për t’iu kthyer edhe njëherë problemit të virgjërisë e mora nga lajmi që lexova në shtypin e ditën, lidhur me operacionet për të rikthyer virgjërinë. Sipas këtyre shkrimeve që i referohen statistikave të publikuara nga Osservatorio Balcani e Caucaso dhe që thonë se çdo ditë 3 femra shqiptare të moshës 18- 30 vjeç, bëhen operacion për rikthimin e virgjërisë.
Kjo lloj statistike, personalisht, m’u duk pa kuptim dhe bën të lindin disa pyetje.
1-A janë shumë apo pak tre femra në ditë?
2-Në gjithë Shqipërinë apo tek një doktor apo tek një spital?
3-A bëhen këto operacione edhe në vende të tjera?
4- Sa operacione të tilla bëhen në vende të tjera çdo ditë, që kjo shifra shqiptare ka tërhequr shumë vëmendjen?
Këto pyetje dhe të tjera, gjithkush mund t’i bëjë. Unë di të them me siguri, se kudo në botë, madje në vendet më të zhvilluara të globit, ka shumë qendra të specializuara, që kryejnë çdo ditë të tilla operacione plastike. Dhe ato mbahen të hapura, sepse kanë aq shumë punë, sa ta justifikojë funksionimin e tyre.
Është e vërtetë, që ka vajza të cilat kërkojnë të dinë si të sillen me partnerët, ose bashkëshortët e ardhëm, kur kanë humbur virgjërinë dhe nuk duan ta humbasin të gjithë marrëdhënien. Ato mendojnë të kryejnë operacione për ta rikrijuar himenin. Ato, në fund të fundit, vendosin ta kryejnë këtë operacionin, sepse u duket opsioni më i përshtatshëm në rrethanat që janë krijuar.
Edhe pse në dukje duket i kapërcyer nocioni i virgjërisë midis të rejave, besomëni, ka akoma shumë vajza nga ato që e kanë humbur virgjërinë, që drejtohen tek mjeku për ta rikthyer atë. Mua çdo ditë, disa vajza, më pyesin në blogun www.seksologu.com për virgjërinë e humbur dhe rikthimin e saj. Një pjesë e tyre janë viktima të përdhunimit. Të tjera ndjejnë se kanë qenë të përfshira në marrëdhënie seksuale të papërshtatshme. Shumica për arsye se djemtë me të cilët do të martohen e kanë kusht që gruaja e tyre të jetë e virgjër. Mos harroni, shumica e djemve të sotëm akoma dëshirojnë të martohen me virgjëresha, ndërsa shokët e tyre, le të martohen me ato vajza, me të cilat ata kanë lozur më parë.
Së pari, ju duhet të dini se “Vërtetimi” i virgjërisë është një akt jo shumë i besueshëm, dhe që në shumë raste krijon telashe. Himeni që mungon nuk tregon gjithmonë se një vajzë ka kryer marrëdhënie të mirëfillta seksuale. Himeni mund të shqyhet ose zgjerohet nga ecja mbi kalë, nga ushtrimet e baletit, nga ngjitja në një pemë, nga vendosja e tamponit dhe nga një ekzaminim gjinekologjik, madje, ka disa vajza që lindin fare pa himen. Gjaku në çarçafët e natës së parë, që kërkohet si domosdoshmëri në disa kultura dhe shoqëri, siç është dhe kjo e jona, nuk është tregues për virgjërinë dhe kopulimin e parë seksual. Këtë mbajeni mend mirë. Është pikërisht mungesa e gjakut të herës së parë, që i shqetëson vajzat dhe shokët e tyre. Por, ndryshe nga sa besojnë njerëzit, jo të gjitha vajzat gjakosen në penetrimin e parë vaginal. Nga një studim i vogël i publikuar në “British Medical Journal“ marrim këtë informacion: Gjinekologia Sara Paterson-Broën, intervistoi 41 nga koleget e saj mjeke, në spitalin e Londrës. Ajo gjeti se 26 prej tyre nuk kishin pasur gjak në eksperiencën e tyre të parë seksuale, 14 ishin gjakosur dhe njëra prej tyre nuk e mbante fare mend çfarë kishte ndodhur. Mungesa e gjakosjes në interkursën e parë vaginale, tek shumica e grave, u shpjegua me zgjerimet dhe shkatërrimet e mëparshme të himenit për arsyet që përshkruam më sipër, ose sepse disa nga këto gra e kishin himenin natyralisht më elastik.
Të provosh se je e virgjër, ndonjëherë, ka interes dhe shqetësim të madh edhe për shumë mjekë, veçanërisht, ata ligjorë. Është shqetësim po ashtu për familjet që dëshirojnë të rruajnë traditat e tyre kulturore. Është shqetësim për burrat dhe për shoqëritë që besojnë tek virgjëria dhe pastërtia femërore (kujtoni tregimin e I. Kadaresë). Është veçanërisht shqetësuese për vetë gratë. Gratë në shoqërinë tonë, si dhe në shumë shoqëri të tjera tradicionale, ndjehen akoma nën presion dhe zbatojnë nocionin tradicional të pastërtisë. Ato ndjejnë frikën se turpërohen, poshtërohen, torturohen, abuzohen, madje, deri edhe vriten për humbjen e virgjërisë.
Një vajzë që mendon të kryejë një operacion për zëvendësimin e himenit, provon shumë emocione konfliktuale. Është e kuptueshme që kërkimi i një “vërtetimi” fizik për virgjërinë, është moment shqetësues, sepse ky është vërtetim për besimin, për besnikërinë dhe për respektin reciprok ndaj bashkëshortit, që janë guri i qoshes për një marrëdhënie të shëndetshme. Të gjithë këtyre faktorëve duhet t’u shtojmë edhe stresin që vajza provon, ndërkohë, që rreket të marrë vendimin. Ajo është e stresuar sepse kërkon të ruajë veten dhe se dyshon në rezultatin.
Procedura për riparimin e himenit quhet hymenorraphy. Doktori rikrijon himenin duke qepur së bashku pjesët e mbetura nga himeni i shkatërruar. Operacioni mund të përfundojë me vendosjen e një kapsule xhelatinoze të mbushur me një lëng që ngjan si gjak. Kjo kapsulë, do të çahet gjatë interkursës dhe do të simulojë gjakderdhjen. Kur nuk ka mbeturina himeni të mjaftueshme, ose në rastet kur gruaja ka lindur pa himen, një pjesë nga mukoza e murit të vaginës përdoret për të krijuar këtë ind që mungon.
Procedura është relativisht e thjeshtë dhe kryhet ambulatorisht. Gruaja është mirë të shkojë për t’u rivizituar tek mjeku disa javë pas operacionit, për të kontrolluar rezultatin e operacionit dhe për t’u çliruar nga problemet emocionale.
Disa kirurgë në vendet e zhvilluara e kryejnë hymenorraphinë, por mos u çudisni që mendimet e mjekëve janë të ndryshme lidhur me kryerjen e operacionit. Punët nuk janë si tek ne ku doktorët e bëjnë pa hezitim operacionin. Disa e konsiderojnë procedurën një formë të kirurgjisë plastike dhe kundërshtojnë ta bëjnë. Të tjerë mendojnë se operacioni përkrah pabarazinë gjinore, ndaj janë kundër kryerjes së operacionit. Të tjerë e konsiderojnë si jo etike kryerjen e operacioneve vetëm për shqetësime kulturore ose sociale.
Hymenorraphya, në përgjithësi, është ilegale në vendet ku traditat kulturore i japin shumë rëndësi virgjërisë së nuses para martesës. Kështu me sa duket ndodh edhe tek ne. Në vendet shumë tradicionale procedura kryhet në mënyrë ilegale dhe me çmim të lartë. Procedura e kryer ilegalisht, shqetëson për standardet e asepsisë dhe antisepsisë, për trajtimin mjekësor të vajzës dhe për reputacionin e rrezikuar të mjekut. Disa vajza, për këto operacione ilegale paguajnë deri në 2000 dollarë, kur zakonisht koston rreth 100 dollarë kur bëhet në vende ku lejohet me ligj. Unë nuk e di në se procedura është e ligjshme ose jo në Shqipëri!.
Në shumë vende vajzat shqetësohen, sepse operacioni që do të kryejnë, do të shënohet në kartelën e tyre personale. Kur operacioni bëhet në një vend ku procedura është ilegale, ky shqetësim nuk ekziston sepse nuk shënohet. Disa vende të tjera, siç është Holanda, e lejojnë që procedura e hymenorraphisë të fshihet për ngaherë nga kartela personale. Në Shqipëri vajza duhet të pyesë doktorin në se operacioni do të shënohet ose jo në kartelën e saj personale.
Çdo vajzë që mendon të rikthejë virgjërinë me operacion, më parë duhet t’i bëjë vetes këto pyetje dhe të mundohet t’u japë atyre përgjigje:
- Sa e sigurtë është se burri i ardhshëm pret që të jetë e virgjër?
- A i ka thënë ai me gojën e tij se e do gruan të jetë virgjër?
- Vërtet është e vendosur ta kryejë operacionin edhe atëherë kur e di se ai e do gruan të virgjër? Çfarë rëndësie ka në këtë rast virgjëria fizike, kur ajo ka humbur virgjërinë etike dhe morale?
- A e di ai se ka shumë gra që nuk gjakosen dhe nuk kanë dhimbje gjatë interkursës së parë seksuale.
Në qoftë se ajo e di me siguri, se ai pret që ajo të jetë e virgjër, vajza ka disa zgjedhje:
a- Të vendosë të kryejë operacionin, që ta gënjejë atë, e ti heqë zemërimin atij e familjes dhe të ruajë martesën dhe veten e saj
b-Ajo duhet ta rishikosh martesën me këtë burrë, që pret i bindur të martohet me një vajzë të virgjër.
c-T’i thotë atij të vërtetën dhe të presë çfarë do të ndodhë.
Çdo vajzë që mendon të bëjë operacionin për rikthimin e virgjërisë, duhet të ketë përgjigje të qarta për këto pyetje:
a-A është i virgjër ai që do të jetë burri i saj?.
b-A kërkon ajo që ai të jetë i virgjër?.
c-Në qoftë se ai nuk është i virgjër dhe vajza nuk e kërkon këtë, si ndjehet ajo kur ai kërkon që vajza të jetë e virgjër?
d-Në qoftë se ai nuk është i virgjër, a pranon ai të testohet për SIS(sëmundje infektive seksuale) përpara martesës?
Në qoftë se vajza e ka të qartë, se ajo duhet të jetë patjetër e virgjër, pa pyetur për të kaluarën e të fejuarit të saj, atëherë, ajo do ta gjejë veten të përfshirë në një marrëdhënie jo të shëndoshë, me dikë që nuk respekton barazinë burrë-grua në martesë.
Ndryshon puna në qoftë se të dy kanë bërë një marrëveshje, që të jenë të dy të virgjër natën e parë të martesës. Vajza që kërkon të rikthejë virgjërinë me operacion, nuk është e ndershme me djalin dhe e gënjen atë me një operacion që do ta bëjë fshehtazi. Ajo tregon se nuk është e ndershme me shokun e saj të jetës. Ta fillosh martesën duke gënjyer, është sikur ta ndërtosh atë mbi themele që lëkunden.
Këto çështje janë të komplikuara dhe marrja e vendimeve lidhur me to shkakton ankth. Çdo njeri, vetë duhet ta gjejë atë që kërkon. Derisa Hymenorraphya është tabu dhe për të nuk flitet hapur, dhe kryhet duke e mbajtur sekret, padyshim, që ka probleme.