Pyetje:
Pershendetje doktor! Une jam nje vajze 19 vjecare dhe kam nje moter qe per 2 muaj mbush 14 vjec. Ajo eshte shume e pakenaqur nga trupi i saj.
Shoqet e saj jane shume te zhvilluara nga(gjinjte,vithet) ajo ka shume deshire qe te kete me shume gjinj dhe vithe por nuk arrin dot, ka lexuar shume gjera ne internet dhe e ka lexuar qe te gjitha vajzat nuk jane njelloj, disa zhvillohen me heret e disa me vone po ajo eshte e merzitur se edhe pak behet 14 dhe nuk ka shume gjinj sa duhet. Pyetja ime eshte a ka ndonje menyre te shendetshme te te ushqyerit ose aktiviteteve fizike per zhvillimin ritjen e gjoksit dhe vitheve?
Ju jam shume mirenjohse se bashku me motren time nese pergjigeni.
Pergjigje:
Ka shume gjera qe duhen sqaruar lidhur me motren tende. Kete nuk e bej do une nga New Yorku.
Per te ndihmuar sado pak po te dergoj nje pjese nga libri im qe e kam shkruar per vajzat. Kjo do t’i vleje motres tend do te vleje edhe per shume vajza te tjera qe me jane drejtuar me pyetje te tille dhe ndjehen te pasigurta me trupin qe kane.
Uroj shendet dhe fat
Doktori
ÇFARË NDODH ME VAJZAT?
Ndërkohë, që vajza piqet fizikisht dhe kalon nëpër ndryshimet fizike që sjell puberteti, ajo ndjen se edhe gjendja e saj emocionale, nuk është e qëndrueshme. Në një moment, ajo, është në gjendje emocionale të lartë dhe pas një minute, gjendja e saj bie, menjëherë, poshtë. Vajza nuk duhet të shqetësohet prej këtij ndryshimi (labiliteti) emocional. Ketë e provojnë të gjitha shoqet e saj dhe “fajin” për këtë, e kanë hormonet. Këto lëkundje në gjendjen emocionale, do të qetësohen pas disa viteve, kur vajza të jetë rritur.
Vajzat, pësojnë ndryshime të mëdha gjatë pubertetit. Gjinjtë janë organet e para që fillojnë të ndryshojnë. Kur gjinjtë fillojnë t’u rriten, vajzat, akoma, nuk i kuptojnë ndryshimet që ndodhin në organet e tyre të brendshme të riprodhimit. Këto ndryshime, ato do t’i kuptojnë, kur të fillojnë periodat (menstruacionet). Periodat e para, nëpër librat mjekësore, përshkruhen me emrin menarche.
SHQETËSIMET DHE PYETJET
Shumë vajza, shqetësohen nga mënyra si e ndjejnë dhe si u duket trupi i tyre. Ato i shqetëson zgjimi i tyre seksual. “Supermodelet” e revistave dhe të filmave, kanë krijuar tek ato imazhin e ashtuquajtur ”ideal”, për pamjen e tyre. Ato mendojnë, se nuk duken mirë, kur e krahasojnë trupin e tyre me këto modele. Kjo i çon ato në probleme shumë serioze. (Sot, ky fenomen haset edhe tek djemtë dhe është një shqetësim në rritje). Duke menduar në këtë mënyrë dhe duke e krahasuar veten me këto “ideale”, ato, vetëm, rëndojnë veten. Bota është e bukur, sepse gjërat brenda saj ndryshojnë. Kush ndjehet keq me veten, le të marrë kurajën të kërkojë ndihmë, përpara se gjërat të bëhen më keq.
ZHVILLIMI I GJINJVE
Rritja e gjinjve, është shenja më e hershme, që tregon se tek vajzat filloi puberteti. Fatkeqësisht, në këtë moment, ato nuk kanë njeri me të cilin të krahasohen (vetëm, po të kenë një motër binjake). Gjinjtë e çdo vajze zhvillohen ndryshe nga të shoqeve. Është me rëndësi, që vajzat të dinë si zhvillohen gjinjtë e tyre.
Zhvillimi i gjinjve kryhet në disa faza.
Duhen pesë vjet që gjinjtë të zhvillohen plotësisht. Në fillim, rriten thumbat dhe janë ato, që bien të parat në sy. Areola, ose zona rreth thumbave, errësohet. Fillojnë të formohen “sythat e gjinjve”. Ky emër, m’u duk më i përshtatshmi dhe tregon se vajza, tani, është si një lule në rritje. “Sythat”, janë nyje të vogla indore, që brenda tyre kanë tubëzat e qumështit dhe dhjamë. Sythat tentojnë të dalin para, duke shtyrë dhe tendosur lëkurën e gjinjve.
“Sythat”, tek disa vajza, fillojnë të duken që në moshën tetë, ose nëntë vjeç, ndërkohë, që vajza të tjera, mund të mos kenë “sytha” edhe kur janë trembëdhjetë vjeç. Gjinjtë në fazën e sythit, janë si gjëndra të forta dhe shumë delikate. Vajzat në këtë kohë bëjnë mirë të veshin kanatjere. Kjo do të mbrojë gjinjtë, që janë duke u rritur, prej goditjeve dhe gërvishtjeve shumë të dhimbshme. Ndonjëherë, kur vajzat kanë ftohtë, ose janë seksualisht të eksituara, thumbat forcohen dhe dhëmbin. Këto janë dhimbje të lehta dhe duhet të konsiderohen normale.
Faza e “sythit”, zgjat gjashtë muaj deri një vit. Pas kësaj gjinjtë fillojnë të mbushen dhe të rrumbullakosen. Qelizat dhjamore dhe kanalëzat e qumështit, që zhvillohen brenda gjinjve, bashkohen me thumbat si telat e diskut të biçikletës (shiko figurën nr. 2). Kanalëzat e qumështit bëhen gati të prodhojnë qumësht. Prej këtij momenti, vajzat janë të afta të ushqejnë me gji një fëmijë, po qe se vendosin ta ketë atë.
Gjinjtë, në vajza të ndryshme, zhvillohen me shpejtësi të ndryshme. Por, edhe tek e njëjta vajzë, në faza të ndryshme të rritjes së saj, gjinjtë, zhvillohen me shpejtësi të ndryshme.
Nuk ka muskuj brenda gjinjve, prandaj, e kanë të kotë ato vajza që bëjnë ushtrime për t’i zmadhuar, ose zvogëluar gjinjtë. Shumë vajza, madje, edhe gra, e kanë njërin gji më të madh se tjetri. Duhen pesë vjet që gjinjtë të zhvillohen plotësisht dhe të kenë madhësi të njëjtë. Ka disa vajza, që edhe ndryshimi fare i vogël në madhësinë e gjinjve, u duket shumë i madh dhe shqetësohen. Këtu nuk ka arsye për shqetësim. Kjo është krejtësisht normale. Këtë ndryshim në madhësinë e gjinjve, e dallon vetë vajza dhe askush tjetër. (Kush di ndonjë shoqe të klasës, që e ka njërin gji më të madh? Askush)
Kur gjinjtë janë formuar, vajzat, vendosin vetë nëse do të veshin, ose jo, mbajtëse gjinjsh (sutjen). Mbajtëset janë të mira dhe këshillohet të mbahen. Ato, nuk i lënë gjinjtë të kërcejnë, kur vajzat ecin, ose vrapojnë. Ato mbrojnë thumbat e ndjeshëm prej ngacmimit të teshave. Shumica e vajzave dhe grave veshin mbajtëse. Disa të tjera, nuk veshin.
Vajzat, duhet të mësojnë si ta zgjedhin numrin e mbajtëses, që u duhet. Ato shiten me numra dhe germa të ndryshme. (Germat AAA, AA, A, B, C, D etj, tregojnë sa e madhe duhet mbajtësja. AAA është më e vogla, DDD është më e madhja. Numri, tregon sa cm është perimetri i trupit, ndenë gjinjtë.)
Ja dhe diçka tjetër me shumë rëndësi: Sapo gjinjtë fillojnë të rriten, vajzat, duhet t’i vetë-ekzaminojnë ato, për kancer të gjirit. Në këtë moment të jetës së tyre, ato me siguri, nuk do të gjejnë gjëndra kanceroze; por kjo do t’i ndihmojë të formojnë zakonin, që t’i vetë-kontrollojnë gjinjtë, më vonë, kur kjo do të jetë e domosdoshme.
VETE-KONTROLLI MUJOR I GJINJVE
Hapi i parë: Qëndro para pasqyrës me duar të lëshuara anash trupit. Shiko me kujdes, në të dy gjinjtë për ndonjë të thelluar të vogël (si vrima në faqe kur dikush qesh), për ndonjë të çuar, palë të lëkurës, ose ndonjë plagë të vogël.
Hapi i dytë: Me delikatesë shtrydhe secilin thumb dhe shiko në se ka ndopak rrjedhje, qe del jashtë.
Hapi i tretë: Vazhdo të qëndrosh para pasqyrës dhe vendosi duart prapa kokës. Edhe një herë, tani, shiko gjinjtë e tu për ndonjë thellim, ngritje, ënjtje, ose çdo ndryshim tjetër, nga një muaj më parë.
Hapi i katërt: Qëndro akoma para pasqyrës dhe vendose dorën në vithet. Lëvize përpara supin dhe bërrylin, ndërkohë shtyp me dorë në vithet e tua. Ndërsa bëni këtë veprim, shikoni përsëri për ndonjë thellim, ngritje, ënjtje, ose ndryshim në formën e gjirit, krahasuar me një muaj më parë.
Hapi i pestë: Ngre krahun e majtë mbi kokë, Me dorën e djathtë fillo të prekësh gjirin e majtë për ndonjë gungë ndenë lëkurë, ose brenda gjoksit. Gunga mund të jetë shumë e vogël, e fortë, ose ndjehet e trashë. (Po qe se prek një bizele, brenda një qeseje plastike të mbushur me xhel, kjo është normale.) Përdor pjesën e butë të gishtave të tu dhe shtyp butë mbi gji. Bë disa rrethe në të gjithë gjirin me majat e gishtave. Fillo të lëvizësh nga jashtë, ngadalë, drejt areolës dhe thumbit. Bë kujdes që të prekësh të gjithë gjirin. Përfshi në këtë proces zonën midis dy gjinjve, sqetullën, ndenë gji (po qe se ke gjinj të mëdhenj), areolën dhe thumbin. Kur ta kesh mbaruar kontrollin e gjirit të majtë, ngre krahun e djathtë lart tek koka dhe me dorën e majtë bë atë që bëre më pare, por tani, në gjirin tënd të djathtë.
Hapi i gjashtë: Shtriu në shpinë dhe vendos një jastëk ose një peshqir të palosur nën supin e majtë. Ngrije dorën e majtë mbi kokë. Tamam, si më parë, shtyp me kujdes me pulpat e gishtave gjirin tënd të majtë. Bë rrathë të vegjël në të gjithë gjirin, duke u afruar tek areola dhe thumbi. Pasi ta kesh kontrolluar plotësisht gjirin e majtë për gunga, ndrysho vendin e jastëkut, vendose atë nën supin e djathtë. Ngre dorën e djathtë mbi kokë dhe ekzamino gjirin e djathtë.
Ka edhe mënyra të tjera për të bërë vetë-ekzaminimin e gjinjve, por, ato, të gjitha, ngjajnë me njëra-tjetrën