Steroidet anabolizantë

flirting-at-gym-copyPyetje :
Përshëndetje.
Kam gati nje vit e gjysem qe shkoj rregullisht ne palester. Shkoj ne palester jo per te rene nga pesha, por thjesht per “te bere trup”, dmth qe shumicen e rasteve punoj me pesha te renda. Nje shoku im me paralajmeroi qe kujdes me peshat pasi mund te te shkaktoje impotence ne te ardhmen. Kjo me trembi paksa. Deri tani nuk kam patur ndonje problem te ketij lloji. Kam kerkuar ne internet dhe neper forume ka njerez qe thone qe po, ka qe thone jo, por keto jane thjesht mendime te qytetareve te thjeshte, ndaj doja te degjoja mendimin e nje mjeku.
Faleminderit

Përgjigje:

Ushtrimi fizik nuk shkakton impotencë. Ushtrimet fizike janë aktivitet i domosdoshëm? dhe po qe se ato bëhen në bazë të një programi të studiuar mirë, me ngarkesë të përshtatshme dhe me kompensim të humbjeve energjetike, me lëndë ushqimore të shëndetshme, nga ato ke vetëm përfitim…
Vetëm kur nget biçikletën, shala e saj ushtron presion në perineum dhe kjo shkakton dëmtime të nervave që shkojnë në penis. Kjo mund të jetë shkak për impotencë.
Për ata që ushtrohen për “të bërë trup”, siç thua dhe ty, ka rrezik për impotencë, atëherë, kur ata përdorin steroidet anabolizantë për të ndihmuar formimin e trupit.
Pse?
Steroidet anabolizantë, janë barna që ngjajnë për nga veprimi me hormonin mashkullor (testosteronit) dhe rritin aftësitë e hormoneve mashkullore për të ndërtuar indet. Shumë sportistë i përdorin steroidet anabolizantë për të fituar peshë, për të rritur forcën, për të rritur shpejtësinë, për të rritur qëndrueshmërinë dhe agresivitetin. Kohët e fundit, përdorimi i steroideve anabolizantë u bë popullor edhe si një mënyrë për të përmirësuar pamjen e personit që i përdor. Ndërkohë që steroidet anabolizantë janë me efekt? për të ndërtuar masën muskulore, për të ulur dhjamin e trupit, për të përmirësuar performancën atletike dhe për të shkurtuar? kohën që duhet për t’u rikuperuar pas? traumave, ato e kanë edhe një kosto, jo të vogël, për shëndetin e atij që i përdor. Dëmi për shëndetin është afat shkurtër dhe afat gjatë.
Kur një burrë fillon të marrë steroidë anabolizantë, trupi i tij (testikujt), fillon të prodhojë më pak testosteron dhe spermatozoide. Kjo çon në zvogëlimin eventual të testikujve të burrit. Kohë zgjatja e përdorimit të steroideve, është një faktor me rëndësi. Varet nga koha e përdorimit në se këto ndryshime të testeve do të jenë të rikthyeshme ose do të jenë? dëmtime permanente. Efekte të tjera anësore të hershme të steroideve anabolizantë janë: aknet, rritje e tepruar, ose rënia e flokëve, paqëndrueshmëri e theksuar emocionale (rritet agresioni, violenca, lëkundje të shpeshta në formën e personit), rritje e gjinjve tek burrat, ulje e dëshirës për seks, rritje e sasisë së ujit që mbahet në trup, prishje e sistemit imun dhe maskulinizimi dhe menstruacione të parregullta tek gratë.
Nuk e di në se ti përdor, ose jo steroidë. Për arsye se këtë shkrim do ta lexojnë edhe ata që përdorin steroide anabolizantë, më lejo të të drejtohem sikur edhe ty i përdor ato. Po qe se ke përdorur nga këto lëndë,? ti, tanimë, duhet të kesh ndjerë disa nga këto fenomene anësore. Po qe se ke vënë re disa nga shenjat që përshkrova më sipër, bën mirë ta? ndërpresësh,? menjëherë, përdorimin e tyre.
Ti mund të mos kesh akoma shenja dhe mendon se je i imunizuar ndaj dëmeve të përdorimit të steroideve. Në këtë rast, duhet të dish se përdorimi për shumë kohë dhe me doza të larta i steroideve anabolizantë, mund të çojë në impotencë seksuale, në dëmtime të mëlçisë, rritet rreziku për sëmundje të zemrës, për tensionin e lartë të gjakut dhe për kancerin. Në qofte se e vazhdon përdorimin e steroideve anabolizantë, të jesh i sigurtë se këtyre dëmeve nuk do t’u shpëtosh dot.
Në qofte se këto që të thashë për efektet anësore imediate të steroideve nuk të bindin, besomë? se unë u flas për të mirën tuaj, pa pasur asnjë interes për vete. Unë po të them: Si doktor mua më intereson shëndeti yt dhe dua që ti të jesh i shëndetshëm për kohë të gjatë. Kur ju vazhdoni të përdorni steroide, mua nuk më vjen mirë që ju nuk shqetësoheni për një gjë që lidhet me shëndetin tuaj në të ardhmen. Po ndërpreve përdorimin e steroideve anabolizantë, duhet ta dish, se këtë e bën, vetëm, për veten tënde.
Ndalo përdorimin e steroideve edhe pse do të biesh pak nga forma sportive, ose nga dukja muskulore. Pse duhet të përdorësh steroidet?. Kërko të përdorësh diçka më pak toksike për të arritur objektivat e tua.
Vendimin për të ndërprerë përdorimin e steroideve do ta marrësh ti, po qe se vendos, ndaloi menjëherë që tani.
Paç shëndet e fat
Doktori.