Pyetje:
Une jam nënë e dy fëmijëve të moshës 2 dhe 4 vjeç.
E zura burrin në flagrancë, por ajo që më frikson më shumë është se e kapa me një femër që burri im e kishte pas edhe kur ka qënë beqar! Ajo e martuar kurse ky beqar!
Kam biseduar me të dy. Ajo më është betuar që ka qenë një hakmarrje ndaj burrit të saj kur është lidhur me tim shoq?! Burri ma ka pranuar që ka qenë i dashuruar me të! Ju lutem më ndihmoni, si mund ti besoj burrit që nuk e dashuron më???? Edhe pse më është betuar që ka qenë gabimi më i madh i jetës së tij!
Ju lutem më ktheni përgjigje se jam në depresion të madh!!!!
Faleminderit për mirëkuptimin!
Përgjigje:
Po i përgjigjem jashtë radhe pyetjes tuaj për dy arsye:
E para se e shoh që je e shqetësuar.
E dyta duket se është problem që u takon edhe shumë shoqeve të tua.
Nuk ka dyshim, se kushdo që ndjehet e tradhtuar ose i tradhtuar, është i shqetësuar, i zemëruar, i egërsuar.
Që në fillim do të them, merr frymë thellë disa herë dhe qetësohu. Nuk je ti e para që të tradhton burri. Tradhtia bashkëshortore
është bërë fenomen i përhapur kudo në botë edhe midis nesh. Me shume se 70% e burrave dhe me shume se 60% e grave i tradhtojnë bashkëhortet. Tradhëtia është një gjë e keqe, por kur e bëjnë shumë njerëz rreth e rrotull, pesha e saj bije.
Për ta patur më të qartë problemin e tradhëtisë së burrave po të dërgoj një shkrim që e kam botuar pak kohë më parë.
Mba mirë parasysh: Varet shumë nga gruaja, në se burri do të tradhëtojë ose jo.
Sot, të dërgoj pse tradhëtojne burrat? Herën tjetër do të shkruaj: Pse tradhëtojnë gratë?
Lexoje me kujdes, qetësohu, rregullo çfarë mund të rregullohet dhe vazhdoni jetën bashkëshortore.
Uroj shëndet e fat.
Doktori
Pse tradhtojnë burrat?
Pse tradhtojnë burrat? Përgjigja është e thjeshtë, më tha një miku im, e ka thënë populli: “’Pula e botës është më e majme’. Të gjithë burrat do ta bënin këtë, përjashto ata që kanë frikë se diktohen”.
Përgjigjet e studiuesve, sado të bazuara të jenë, kurrë, nuk do të kapin të gjitha arsyet pse burrat dhe gratë, tradhtojnë partnerët e tyre. Dhe….ata që tradhtojnë nuk janë pak. Sipas studimeve, që, kurrë, nuk janë të sakta, sepse të gjithë mundohen ta fshehin tradhtinë, rezulton se rreth 60 përqind e grave dhe rreth 70 përqind e burrave tradhtojnë.
Çdo të thotë tradhti bashkëshortore?
Kemi tradhti bashkëshortore, atëherë, kur marrëveshjen e përkushtimit martesor, për arsyet psiko-emocionale, e prish vetëm njëri nga partnerët.
Prishja e marrëveshjes bashkëshortore për ta shitur seksin, në këmbim të të mirave materiale (lekë, ose përfitime të tjera materiale ), është prostitucion. Prostitucioni nuk hyn në statistikat e më sipërme. Në tradhti bashkëshortore nuk hyjnë, gjithashtu, rastet, kur të dy partnerët kanë rënë dakord të bëjnë jetë seksuale jashtë martesore, pra në martesat e hapura. Në këto martesa nuk ka tradhtar dhe të tradhtuar, sepse edhe burri edhe gruaja bëjnë seks me persona të tjerë.
Arsyet pse burrat tradhtojnë janë shumë personale dhe janë shumë të ngatërruara. Ato janë aq të shumta, sa janë edhe shkaqet që i inspirojnë burrat për tradhti.
Një grua, që i shikon me kujdes motivet pse burri e tradhton, që në shenjat e para, ajo ka shumë në dorë ta ndalojë tradhtinë.
Në nëntëdhjetë e nëntë përqind të rasteve, arsyeja kryesore pse burrat tradhtojnë është mërzitja prej gruas. Shumica e burrave e kanë humbur interesin për seks me gratë e tyre dhe këtë ata e shprehin thuajse në të gjitha bisedat. “Kur prek gruan është sikur prek veten time” thonë shumë prej tyre.
Çdo grua, po qe se dëshiron, i ka të gjitha mundësitë për ta flakur monotoninë dhe mërzinë në marrëdhënien monogame. Ajo duhet të fusë pak më shumë energji brenda marrëdhënies dhe ta bëjë burrin të mendojë, të habitet dhe të surprizohet seksualisht. Kur gruaja fillon ta bëjë këtë, eksperienca seksuale brenda marrëdhënies martesore, bëhet më interesante dhe burri do të rrisë kujdesin për gruan dhe marrëdhëniet me të. Kjo është mënyra më e mirë, që çdo grua duhet të përdorë, për t’u prerë rrugën justifikimeve pa fund, që burrat i përdorin kur tradhtojnë gratë.
Ja disa nga justifikimet e burrave:
1- Nuk kam grua për të qenë.
Ashtu si Adami në Bibël edhe burri i sotëm tipik, nuk mund t’i rezistojë joshjes së mollës së pjekur, veçanërisht, kur gruaja e tij e ka lëshuar veten. Po qe se gruaja, fizikisht, përton për seks, po qe se ajo shton shumë në peshë dhe nuk bën më kujdes për veten e saj, në këtë rast, burri do të fillojë të shikojë gratë e tjera.
Gratë që duan ta mbajnë burrin me litar të shkurtër në qafë, duhet të shihen mirë në pasqyrë. Këtë, duhet ta bëjnë edhe burrat. Por është fakt i njohur, se edhe kur burri është një jargaman, ai kërkon, po njësoj, perfeksionin prej gruas së tij. Në këtë çështje ka, çuditërisht, një “dopio standard tipik”, thonë specialistët. Ka një standard për gratë që të mbahen dhe të jenë seksualisht perfekte dhe një standard për burrat, të cilët e kërkojnë këtë prej grave të tyre. Ky dopio standard ekziston, është real dhe duhet të kuptohet e të mbahet mirë parasysh prej grave.
Burrat që nuk duan të tradhtojnë, përpiqen të zbulojnë, vazhdimisht, gjërat që shkëlqejnë në shtëpinë e tyre. Psikologët këshillojnë: “Bëjeni gruan të ndjehet e bukur edhe pse në shumicën e rasteve ju do të gënjeni. Thojini asaj sa e bukur dhe e mirë është dhe se sa shumë ju e vlerësoni. Kjo do ta bëjë atë të ndjehet seksi dhe ajo do të dojë t’u bëjë juve të lumtur”.
2- Gruaja ime nuk durohet, është grindavece.
Një grua grindavece, vazhdimisht dhe kudo kritikuese, është shkaku kryesor që e drejton burrin në krahët e një gruaje tjetër. Asnjë burrë, nuk e duron dot një grua që gjithë ditën dhe natën është kritike për çdo gjë. “Ajo është si një mushkonjë, me të cilën ai nuk do të bëjë seks, por, vetëm, dëshiron ta largojë“. Në këtë rast, opsioni më i preferuar për burrin është: seks i ngrohtë me një grua të vërtetë.
3- Më pëlqen të luaj me zjarrin.
Shumica e burrave, që janë të prirur për të bërë afera jashtë martesës, ndjejnë se brenda vetes kanë burrin e hershëm të shpellave. Ata duan të lozin me zjarrin. Mos harroni: Afera shton rrezikun dhe rreziku shton kënaqësinë.
Ja, pse duke ruajtur e sajuar surpriza dhe variacione të këndshme në jetën seksuale, gruaja e mban ndezur zjarrin e shtëpisë dhe e bën të digjet aq i nxehtë në oxhak, sa që burri nuk do të ketë as arsye, as nevojë të gabojë.
4- Më pëlqen të sillem rrotull.
Shpesh, burrat e martuar që u vijnë rrotull grave, nuk e shpjegojnë dot motivacionin e tyre. Ata ndjejnë nevojën të prishin rutinën e përditshme, duke kërkuar diçka të re. Është një instinkt primitiv që shkon shumë prapa, kur burrat ishin gjahtarë dhe grumbullues të mirash materiale. Tani, ata, vetëm, mund të gjuajnë dhe të mbledhin gra të reja. Ndodh që burri të jetë martuar shumë herët, ende pa parë gjithçka, instinkti primitiv e shtyn të kërkojë më shumë.
Gratë që nuk dëshirojnë të tradhtohen prej burrave, duhet të sillen të mençura që në fillim të marrëdhënies. Në qoftë se nuk e mbajnë dot për litari kur romanca është, akoma, e re, ato kurrë nuk do ta kontrollojnë dot atë gjatë rrugës. Sipas specialistëve, tre muajt e parë janë kritikë.
5- Është biologji.
Kjo teori, edhe pse është një “kafshatë që nuk kapërdihet”, ajo është e vërtetë. Është kërkesë e burrave, është në gjenet e tyre, është natyra e tyre biologjike që i nxit të shkojnë me sa më shumë femra. Kjo është e ngulitur në evolucion, si mënyra për të siguruar ekzistencën e species. Kur burrat shohin disa herë të zhveshur një grua, ajo bëhet për ta një gjë e zakonshme dhe pa interes. Nuk ka rëndësi kush është gruaja e tij, le të jetë ajo ylli i kinematografisë, ata u mësuan me trupin e saj dhe dëshirojnë të provojnë diçka ndryshe,.. buzë të tjera dhe trup tjetër… A nuk thotë populli “Burri është shoku i qenit!”. Por psikologët dhe antropologët thonë: “Burrat, ndryshe nga shumica e meshkujve të gjitarëve të tjerë, janë monogamikë, sepse kuptojnë që dashuria dhe miqësia janë më me rëndësi, nga sa të shtrihesh kudo që gjen vend.”
6- Është vetëm seks.
Për shumicën e burrave, seksi dhe dashuria janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ata në të vërtetë e duan gruan e tyre, por dëshirojnë të bëjnë seks edhe me një grua tjetër. Ata në mendjen e tyre, e kanë të ndarë dashurinë nga seksi. Ky mendim, i ngulitur thellë në mendjen e burrave, u lejon atyre të provojnë seks me shumë gra, pa ndjerë faj. Çdo faj që një burrë ndjen pas seksit, nuk ka të bëjë me vetë seksin, por ka të bëjë me konsekuencat e tij sociale. Ai ka frikë se ajo mund t’i ngjitet si hije? Ai ka frikë se mos e pikasin, veçanërisht, gruaja. Ai frikohet edhe nga shumë gjëra të tjera, kjo varet nga lloji i burrit.
Këto janë vetëm disa nga justifikimet, që përdorin burrat që tradhtojnë. Gjithkush mund të bëjë pyetjen: A qëndrojnë këto justifikime? Fakti që shumica e burrave tradhtojnë dhe 70 përqind e grave të tyre nuk e kanë idenë për këtë, tregon se këto justifikime qëndrojnë. Këto janë statistika nga anketime që janë bërë në shumë vende të botës.
Tek ne nuk ka statistika të kësaj natyre, por nga një statistikë e botuar nëpër gazeta morëm vesh se në Tiranë raporti martesë/divorc është 1 me 5. Regjistrohet një martesë e re dhe divorcohen pesë të mëparëshme. Në këto divorce shkaku numër një është tradhtia bashkëshortore. Këto statistika tregojnë se fenomeni është i pranishëm edhe tek ne dhe pasojat e tij janë tepër të ndjeshme.
Duke e mbyllur këtë shkrim dua të theksoj, se burrat që janë në marrëdhënie të përkushtuara monogamike, para se të tradhtojnë gratë, le t’i bëjnë vetes këtë pyetje: A ja vlen kjo?
Dr. Adem Harxhi