Pyetje :
Jam një grua e martuar prej? 16 vjetësh. Dukej se kishim një martesë perfekte. Kemi tre vajza, një shtëpi të mirë dhe një jetë seksuale të mrekullueshme, sa që mendoja se nuk ka si të bëhet më mirë. Të dy ishim miq të mirë. Unë i thosha atij çdo mendim timin. Ndjeja se martesa ime do të ishte e pashkatërueshme. Para tre muajve e kapa atë në një marrëdhënie me një grua tjetër. U shkatërrova nga kjo. Ai pranoi se kjo marrëdhënie e tij nuk ka të bëjë fare me jetën e tij në shtëpi, ose me ndonjë mungesë vëmendje të tij ndaj meje.? Nuk jepte asnjë shpjegim pse e bëri këtë. Nuk di në se duhet të vazhdoj të jem e martuar me të. Asnjëherë nuk kisha menduar se kjo do të ndodhte. Ndjehem si budallaqe dhe pa zgjidhje. Të lutem ndonjë këshillë.
Përgjigje :
E kuptoj, dhimbje e madhe për ty !
Nuk besoj se ka një gjë tjetër më shkatërruese për një lidhje intime se sa akti i tradhtisë. Por, fatkeqësisht, ti nuk je vetëm. Duket sikur kjo është bërë modë tani midis nesh.
Sipas studimeve të “Amerikan Association for Marriage and Family Therapy”,? një studim kombëtar amerikan raporton se 15% e grave dhe 25% e burrave kanë kryer interkursë seksuale jashtë martesës. Po të futen në këto statistika dhe aferat emocionale ose intimitetet seksuale pa interkursë, incidenca rritet akoma edhe 20% të tjera si për burrat edhe për gratë.
Gjendja nuk besoj të jetë më e mirë edhe tek ne, ndonëse nuk kemi statistika. Por po të gjykojmë nga numri i madh i divorceve për arsye të tradhtisë bashkëshortore edhe tek ne problemi është serioz. Pra tradhëtia bashkëshortore nuk është një fenomen i jashtëzakonshëm.
Them se nuk ke arsye pse të ndjehesh “budallaqe dhe pa zgjidhje”, sepse kur i beson dikujt, askush nuk parashikon sjellje të tilla. Dhe për më keq akoma, ata që tradhtojnë janë në shumicën e rasteve, shumë të aftë në artin e gënjeshtrës dhe ta mbajnë partnerin e pafajshëm në errësirë.
Është e vërtetë që kjo është një goditje emocionale që prek shumë thellë, ndaj është e kuptueshme dhimbja jote emocionale ndaj tradhëtisë, si dhe ndjenja që të mos e shikosh si të pranueshme vazhdimin e marrëdhënies bashkëshortore.
Në fakt, një nga efektet anësore më negative të tradhëtisë? dhe një nga arsyet kryesore që shumë njerëz ndahen është se sapo merr vesh se partneri të shikon drejt në sy dhe të gënjen, kjo e bën shumë të vështirë që t’i besosh atij ose asaj përsëri. Në këto kushte do të ndihmonte në se të dy bëni përpjekje dhe punoni bashkë me ndonjë psikolog për ta ruajtur martesën tuaj.
Fakti që keni tre vajza është një motivacion i fuqishëm që të përpiqeni ta ruani martesën. Në se ai akoma të do, është penduar vërtet dhe është i interesuar që ta ruajë martesën, unë them se ju keni një shans të mirë që ta shfrytëzoni. Në fund të fundit dy gjëra do të ndodhin: Ju të dy do ta merrni veten si individë dhe do të afroheni me njeri tjetrin si një çift, ose do të largoheni nga njeri tjetri dhe do të divorcoheni . Duke qenë se në mes tuaj janë fëmijët, unë shpresoj se burri me të cilin je martuar do ta? kuptojë se duhet t’i dalë zot familjes dhe ti do të gjesh mënyrën si të shërosh zëmrën e plagosur. Vetëm kështu do të arrini ta ruani martesën tuaj të tronditur.
Të uroj shëndet dhe fat
Doktori.