Për arsyen që HIV-i kalon nga i sëmuri tek i shëndoshi nëpërmjet kontaktit me gjakun dhe lëngjet e tjera trupore, pacientët dhe punonjësit e shëndetësisë kanë rrezikun potencial të infektimit prej njëri-tjetrit. Sot, as doktorët e as pacientët nuk janë të detyruar të informojnë njëri-tjetrin në se janë të infektuar me HIV. Për të kuptuar rëndësinë e këtij problemi mjafton të themi se në Amerikë ka mbi 7000 doktorë që janë të infektuar me HIV. Këta janë të deklaruarit, po sa janë të pa deklaruarit dhe sa janë personeli tjetër shëndetësor i infektuar me HIV! A duhet që këta punonjës të shëndetësisë të infektuar të informojnë pacientët për statusin e tyre, madje, edhe kur procedurat që ata kryejnë nuk kanë rrezik për të tjerët?. Po qe se do të bëhej kjo, shumë pacientë nuk do të lejonin që t’i trajtonte një doktor ose personel tjetër i infektuar me HIV. Edhe e kundërta është njësoj. Lind pyetja: A duhet që pacientët të informojnë doktorët ose dentistët e tyre se ata janë të infektuar?
Në shumë spitale, në mënyrë rutine pacientët testohen për hepatitin, tuberkulozin dhe sëmundje të tjera që në shtrim. Kjo bëhet që të mos i përhapin këto sëmundje në njerëz të tjerë. Shumë studiues mendojnë se doktorët, veçanërisht kirurgët, kanë plotësisht të drejtë të dinë në se pacientët e tyre janë të infektuar me HIV. Kundërshtarët e kësaj pikëpamjeje thonë se kujdesjet e përgjithshme që rekomandohen dhe që janë përshkruar në këtë libër, janë të mjaftueshme për të mbrojtur punonjësit e shëndetësisë dhe profesionistët e tjerë nga infektimi me HIV.
Në një anketim, 90 përqind e njerëzve thanë se të gjithë punonjësit e shëndetësisë duhet t’u thonë pacientëve në se janë të infektuar me HIV. Po ashtu 97 përqind e të anketuarve thanë se pacientët e infektuar me HIV duhet t’ua thonë këtë punonjësve të shëndetësisë.
Newsweek