Gjithkush duhet të mendohet mirë se kujt do t’ia besojë vendimin për të bërë testin. Është momenti që atij i duhet mbështetje dhe mirëkuptim. Ai i njeh njerëzit që do t’i qëndrojnë pranë dhe do t’i ruajnë sekretin.
Të dhënat e tij mjekësore janë sekrete.
Testi për HIV konsiderohet konfidencial, por edhe pse doktori respekton sekretin, ai e ka për detyrë të njoftojë njerëzit? jeta e të cilëve është në rrezik për shkak të gjëndjes shëndetësore të një personi. Doktori këtë duhet ta bëjë edhe pa lejen e personit të interesuar.
Ata që presin rezultatin e testit, është njësoj sikur presin të dëgjojnë parashikimin për jetën që u ka mbetur. Dy javë mund t’u duken si pafund dhe shumë mendime serioze dhe konfuze u sillen nëpër mend. Hapja tek dikush që i besojnë për atë që ndjejnë, është me rëndësi të madhe. Qendrat ku kryhet testi është mirë të ofrojnë edhe konsultimin. Atje duhet të pakësohet frika, padurimi, zemërimi dhe dhimbja. T’u? besojnë miqve dhe prindërve të tyre,? të cilët do t’i ndihmojnë në këtë kohë të vështirë.
Pasi ta kenë marrë rezultatin, është mirë të konsultohen edhe një herë akoma. Natyrisht, kur rezultati vjen pozitiv, ata do të kalojnë një periudhë plot sfida jetësore. Bëjnë mirë të lidhen me një person që di t’u thotë për të rejat lidhur me sëmundjen. Por edhe kur rezultati vjen negativ, është mirë të bisedojnë për ato që ndjejnë.
Rezultati negativ i testit, në shumicën e rasteve, i çliron prej ankthit personat që u testuan dhe rrit shpresat e punonjësve të shëndetësisë se nuk do t’i shikojnë më në laborator këta të rinj. Ata shpresojnë se të testuarit si HIV-negativ do të bëjnë kujdes dhe do t’i ndryshojnë sjelljet e tyre të rrezikshme.
Kur rezultati është pozitiv, të infektuarit ndjejnë sikur jeta e tyre u përmbys dhe gjithçka që kanë shpresuar ta arrijnë në jetë tani ndaloi në vend. Këto ndijime janë krejt normale. Është mirë t’ia tregojnë gjendjen familjes dhe të përpiqen të gjejnë një doktor të mirë, mjekim të mirë dhe ajo që është më me rëndësi, të vazhdojnë ta jetojnë jetën e tyre.
E DREJTA E PACIETIT PËR PRIVATËSI DHE E DREJTA E PARTNERIT PËR TA DITUR
Ndërkohë që shoqëria jonë i shikon të drejtat e individit, përfshi dhe të drejtën për fshehtësi, si shumë të rëndësishme, ajo i mbahet edhe parimit se njerëzit kanë të drejtën? të mbrohen nga dëmet, ose nga kërcënimet për t’u dëmtuar. Demokracia i jep gjithkujt të drejtën të flasë lirisht, por nuk duhet të lejojë askënd që të shkelë të drejtat dhe sigurinë e të tjerëve.
Personi i infektuar me HIV, ka të drejtën ta fshehë gjendjen e tij shëndetësore, por nuk lejohet që me dije të rrezikojë jetën e personave të tjerë. Për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve, në shumë vende në botë kërkohet që njerëzit e infektuar me HIV të informojnë partnerët seksualë për gjendjen e tyre shëndetësore. Po të mos veprojnë në këtë mënyrë, ata rrezikojnë jetën e të tjerëve.
Në disa vende, njerëzit që dinë se janë të infektuar me HIV dhe vazhdojnë të bëjnë seks pa kondom dhe përdorin shiringa të përbashkëta, arrestohen. Kur gjyqi provon se këto sjellje janë shkaku i infektimit të partnerit seksual me HIV, personi i akuzuar mund të ngarkohet me fajin e tentativës për vrasje. Në qoftë se sjellja e papërgjegjshme çon në vdekjen e partnerit seksual, i akuzuari dënohet sipas nenit vrasje nga pakujdesia.