Pyetje nr. 1:
Dr. Harxhi, jemi një grup shokësh, mosha deri 60 vjeç duam të dimë për Viagrën, Cialis dhe Levitra. Çfarë efektesh anësore kanë këto dhe si duhet të përdoren pa ngrënë? Sa kohë para aktit? Pasi ke pirë këto barna mund të konsumohet diçka apo të pish një kafe? Kush është më e mira nga këto dhe sa e kanë efektin? Jemi në pritje të këshillave tuaja…
Pyetje nr. 2 :
Lexova artikullin tuaj të së dielës me Dr. Adem Harxhin dhe më bënë përshtypje këshillat e tij për përdorimin e Viagrës. Unë jam 32 vjeç nuk kam ndonjë problem me seksin por kam shumë kuriozitet për Viagrën, do të doja ta provoja njëherë. Jam krejt profan në këtë fushë, doja të dija si ta marr, si përdoret dhe mbi të gjitha a më bën dëm në kushtet kur unë aktivitetin seksual e kam normal?
Përgjigje:
Megjithëse para disa javësh unë kam shkruar një artikull të gjatë për “Impotencën dhe Viagrën”, interesimi i lexuesve për Viagrën vazhdon të jetë i madh. Kam marrë shumë pyetje për këtë bar të “shumëpritur” dhe dy pyetjet e mësipërme i përmbledhin ato të gjitha.
Barnat që përdoren kundër impotencës, janë ato që janë shitur dhe vazhdojnë të shiten më shumë se të gjithë barnat e tjera në të gjithë historinë e mjekësisë. Duhet thënë se ato janë edhe barnat me të cilat është abuzuar dhe vazhdon të abuzohet më shumë. Në vendin tonë, kundër çdo rekomandimi shkencor për përdorimin e tyre, ato jepen pa recetë mjeku.
Viagra, Levitra dhe Cialis janë barna që përmirësojnë funksionin erektil me të njëjtën mënyrë veprimi. Ato ndryshojnë prej njëra-tjetrës vetëm nga shpejtësia me të cilën veprojnë dhe nga koha sa zgjat efekti i tyre. Ato ndalojnë shkatërrimin e oksidit nitrik, kimikatit që bën qetësimin dhe hapjen e vazave të gjakut që furnizojnë indin erektil të penisit. Rritet sasia e gjakut që vjen në penis. Indi erektil rritet në volum dhe shtyp mbi venat. Gjaku nuk largohet dot nga penisi. Të gjitha këto bëjnë që penisi të zmadhohet dhe forcohet.
Që këto barna të kenë sukses është i domosdoshëm stimulimi seksual që bën të fillojë i gjithë procesi. Viagra dhe shoqet? e saj e bëjnë më të plotë përgjigjen ndaj stimulimit seksual. Pra mos prisni të fillojë ereksioni pasi keni pirë viagrën duke luajtur me letra. Që ajo të veprojë duhet të shkoni në shtrat dhe të filloni lojën seksuale.
Viagra, Levitra dhe Cialis përmirësojnë ereksionin dhe rritin numrin dhe kualitetin e ereksioneve. Ato ndihmojnë burrat me disfunksion erektil nga ateroskleroza, nga diabeti, nga dëmtimet e palcës së kurrizit, nga depresioni nervor dhe nga pasojat e operacioneve për kancerin e? prostatës. Nuk mund të thuhet se cili bar është më i mirë për burra të moshave të ndryshme, ose me kondita mjekësore të ndryshme.
Shumë faktorë mund të influencojnë në zgjedhjen e barit më të përshtatshëm për ju. Zgjedhja varet nga mënyra si përgjigjet trupi juaj ndaj një bari në krahasim me një tjetër dhe nga kohëzgjatja e veprimit që ju dëshironi. Bisedoni me doktorin që ai t’u ndihmojë të vendosni se cilin prej tyre do të përdorni.
Ndonëse këto barna mund të ndihmojnë shumë njerëz, jo të gjithë burrat duhet të ndjehen të sigurtë t’i marrin ato. Viagra dhe shoqet e saj Levitra e Cialis kur përdoren pa kriter mund të keqësojnë disa gjendje mjekësore dhe të ndërveprojnë me shumë barna të tjera që ju jeni duke i përdorur. Ato janë të rrezikshme kur përdoren me nitrate siç është nitroglicerina e të tjerë, që jepen për të parandaluar anginën akute (dhimbje gjoksi nga sëmundja e arterieve koronare të zëmrës). Të dy tipat e mjekimit zgjerojnë vazat e gjakut dhe kombinimi i efektit të tyre mund të sjellë marrje mëndsh, ulje të presionit të gjakut dhe humbje të ndërgjegjes.
Mos i përdorni këto barna kur keni probleme me valvulat e zëmrës, kur përdorni alfa dhe beta bllokues. Mos i përdorni ato edhe kur merrni antibiotikë, antiviralë dhe antifungalë.
Në raste të rralla, burrat që kanë përdorur këto barna kanë pësuar humbje permanente dhe totale të pamjes kur vuanin nga një sëmundje e syve që quhet Neuropatia Optike Ishemike Anteriore Joarteriale (NAION). Nuk është akoma e? qartë pse ndodh kjo humbje e pamjes, por kur mendoni të përdorni këto barna për disfunksionin erektil dhe keni një çrregullim retinal, siç është retinopatia diabetike, vizitohuni më përpara tek doktori i syve.
Përpara se të merrni këto barna tregojini doktorit në se keni patur dikur një atak në zëmër, një goditje në tru, ose rrahje të zëmrës që kanë rrezikuar jetën në gjashtë muajt e fundit; nëse keni patur insuficiencë të zëmrës; nëse vuani nga sëmundje koronare të zëmrës, nëse keni patur angina; presion të lartë ose të ulët të gjakut; probleme nga mëlçia, probleme nga veshkat; probleme nga gjaku, ulcer të stomakut, anemi ose leucemi, çrregullime të koagulimit të gjakut, retinitis pigmentoza, deformim fizik të penisit ose sëmundja e Peyronie, nese keni patur probleme me ereksione të zgjatura e të dhëmbëshme, sëmundje të palcës së kockave dhe nëse përdor një bar tjetër për të mjekuar impotencën. Në këto situata ju ose nuk e përrdorni dot Viagrën ose doktori do të shikojë me kujdes dozën për ju.
Për të gjitha këto arsye Viagra, Levitra dhe Cialis nuk duhet të përdoren kurrë pa konsultimin e doktorit dhe farmacisti nuk duhet t’i japë pa recetë mjeku. Mos i a jepni kurrë barin që doktori u a ka dhënë juve një shokut tuaj.
Këto barna kanë disa efekte anësore të lehta deri në të mesme që? zakonisht nuk zgjatin shumë. Shumica? ? e tyre ndodhin kur përdoren doza të larta. Më të zakonshmet janë: dhimbje koke, skuqje në fytyrë, shqetësime në stomak. Më pak ndodhin ndryshime në perceptimin e ngjyrave, sytë bëhen më të ndjeshëm ndaj dritës, turbullohet pamja. Në raste të rralla ndodh priapizmi ( ereksione që zgjatin disa orë). Në këtë rast duhet shkuar tek doktori kur ereksioni zgjat mbi 4 orë. Po qe se kjo gjendje nuk mjekohet menjëherë, mund të ndodhin dëmtime permanente në penis. Ataku në zëmër, insulti cerebral, rrahje zëmre të çrregullta dhe vdekja kanë ndodhur rrallë në burrat që përdornin këto barna. Shumica e këtyre komplikacioneve kanë ndodhur në ata burra që kanë patur më përpara probleme me zëmrën. Kur përdor Cialis mund të keni edhe dhimbje në shpinë dhe dhimbje muskulore.
Burrat me moshë mbi 65 vjeç provojnë më shumë efekte anësore nga Viagra, Levitra, Cialis prandaj doktori jep për ta doza më të vogla.
Çfarë duhet të prisni nga Viagra dhe shoqet e saj?- Bari nuk mund t’u bëjë juve të ndjeheni përsëri njëzet vjeç, por ai do t’u ndihmojë të arrini kënaqësinë e marrëdhënieve seksuale më shpesh. Kini vullnetin të bashkëpunoni me doktorin tuaj për të gjetur cili është bari dhe doza më e përshtatshme për ju.
Nuk ekziston deri sot asnjë studim që të ketë patur për qëllim krahasimin e këtyre barnave, por sido që të jetë një krahasim mund ta bëjmë:
Doza e zakonshme ditore për Viagrën 50 mgr; për Levitrën 10 mgr; për Cialis 10miligram.
Doza maksimale ditore për Viagrën 100mgr; për Levitrën 20mgr; për Cialis 20mgr.
Si ta marrësh barin: Viagrën dhe Levitrën pa ngrënë, ndërsa Cialis mund ta marrësh pa ose pasi ke ngrënë.
Kur ta marrësh- Viagrën dhe Levitrën 30-60minuta para aktivitetit seksual, ndërsa Cialis 30 minuta para aktivitetit seksual.
Sa zgjat veprimi- Viagra dhe Levitra deri 4 orë,? Cialis 24 deri 36 orë.
Sa shpesh mund t’i përdorësh- Të tria vetëm një herë në ditë.
Pas përdorimit të Viagrës, Levitrës dhe Cialis ju mund të hani çdo gjë, mund të pini kafe, çokollatë, lëngje freskuese e etj. Nuk duhet ta teproni me alkool.
Të rinjtë dhe burrat që kanë ereksione të mira, të afta për të kryer një akt seksual të kënaqshëm, nuk rekomandohet të përdorin këto barna.