LAHEM LAKURIQ ME DJALIN 6 VJEC
PYETJE:
E nderuar redaksi. I nderuar Dr. Ademi. Doja t’u pyesja lidhur me sjelljen ndaj nuditetit me fëmijët. Jam babai i një djali 6 vjeçar . Kam një zakon personal. Unë bëj dush, kryej nevojat ose lëviz në shtëpi në intervale të shkurtra i zhveshur dhe nuk i kyç dyert e as e fsheh lakuriqësinë prej djalit. Fillimisht djali ishte kurioz lidhur me këtë fakt me organet seksuale e tj, por tashmë nuk i bën asnjë përshtypje, madje ai vetë është shumë i lirshëm dhe sillet njësoj si unë në lidhje me nuditetin e tij. Këtë sjellje nuk e bën nëna e tij në fakt, gruaja ime e cila sillet “normal” në raport me nuditetin e kam fjalën . Nuk sillet si unë. Mua më duket se djali nuk ka të keqe nga kjo, por kanë filluar të më bëjnë shumë presion të afërm e familjarë që kanë mësuar për këtë lloj sjellje “anormale” timen.
Doja t’u pyesja : A ka rrezik për shëndetin psikologjik të djalit për zakonet e tij të ardhshme seksuale? etj. nuditeti im i pafshehur? A të vazhdoj të sillem njësoj apo duhet t’i ndërpres këto lloj sjelljesh?
Faleminderit dhe punë të mbarë.
PËRGJIGJE:
Kjo është një pyetje shumë e mirë, e kohës dhe që e bëjnë shumë prindër kudo në botë. Duhet të dini se jo të gjithë edukatorët kanë të njëjtin mendim lidhur me problemin që ju intereson…
Që në fillim dua t’u them se lidhur me sjelljen lakuriq nëpër shtëpi edhe në familjet ku nuk ka fëmijë kërkohet mirëkuptimi i të gjithë antarëve të familjes. Kur njeri nga antarët e familjes nuk është dakort, kjo praktikë nuk duhet të vazhdojë.
Në familjet që kanë fëmijë problemi bëhet më kopleks. Ka shumë fëmijë që dëshërojnë t’i shikojnë prindërit e tyre lakuriq dhe të lozin e të krahasohen me organet seksuale të prindërve. Ky është një kuriozitet natyral i fëmijve që disa prindër e pranojnë, ndërsa shumë të tjerë janë kundra. Kështu ndahen edhe mendimet e studiuesve. Por le ta shikojmë më gjërë problemin.
Lakuriqësia bezdis shumë njerëz. Eshtë kjo arsyeja që shumë prindër bëjnë kujdes që fëmijët të mos i shikojnë lakuriq. Ata i edukojnë fëmijët që të kuptojnë se organet gjenitale janë pjesë private dhe gjithkush duhet ta ruajë privatësinë. Kjo sjellje kur bëhet shumë restriktive ka pasoja negative. Fëmijët nuk i njohin dhe nuk mësohen me organet e tyre gjenitale. Ata i konsiderojnë ato si pjesë të turpshme, të pista, që duhet të fshihen e që për to nuk duhet folur. Kjo mënyrë edukimi ndikon keq në jetën e tyre seksuale kur do të rriten.
Për të evituar këto pasoja të dëmshme të edukimit restriktiv, disa prindër të nisur nga dëshira e mirë dalin lakuriq para fëmijve (ashtu siç bëni edhe ju). Këtë e bëjnë për të qënë më natyralë. Ata mendojnë se kjo i ndihmon fëmijët të mësojnë për tërësinë e trupit të tyre dhe të fitojnë ide më të plota për trupin. Sipas tyre kjo ndihmon të largohet turpi që vjen nga ekspozimi i organeve gjenitale.
Shumë edukatorë mendojnë se fëmijët duhet të mësohen me lakuriqësinë dhe organet e tyre gjenitale. Për këtë ata rekomandojnë që t’i lejojmë të shikojnë e të lozin me fëmijë të tjerë lakuriq.
Në librin “Fëmijët duan të dinë për Seksin” botuar në vitin 2003 unë e trajtoj problemin në këtë mënyrë: “ Duke parë trupin e të rriturit lakuriq tek fëmija zgjohet interesi për të prekur, eksploruar dhe përkëdhelur organet gjenitale të të rriturit. Kjo mund të nxisë dëshira dhe ndjenja që nuk do të plotësohen dot dhe kjo gjë? e shqetëson fëmijën. Disa fëmijë këtë shqetësim e shfaqin hapur, të tjerë e mbajnë brënda vetes. Sjellja më e mirë do të ishte që të ruhet një dozë e mirë privatësie. Por duhet ta kemi të qartë se çdo familje mund të bëjë atë që ajo e shikon si më natyrale për të gjithë antarët e saj.”
Disa edukatorë të tjerë mendojnë se është mirë që fëmijët e vegjël të shikojnë antarët e tjerë të familjes lakuriq. Kjo, sipas tyre, i ndihmon fëmijët të kuptojnë se organet seksuale janë një gjë normale, pjesë e trupit si të gjitha pjesët e tjera dhe se ato nuk janë vetëm për seks. Kjo sjellje u mëson atyre diçka me shumë rëndësi, që do t’u a bëjë jetën më të lehtë kur të rriten. Ata do të mësojnë se asnjë trup nuk është perfekt dhe se duhet pranuar e respektuar trupi që kanë. Kjo mënyrë sjelljeje këshillohet kur fëmijët janë më të vegjël se tre vjeç.
Shumë prindër pyesin në se është e lejuar të bëjmë banjë bashkë me fëmijën? Mirë është të mos bëjmë banjë së bashku me fëmijët. Le të bëjmë ashtu siç bëjnë shumica e prindërve që përpiqen të ruajnë privatësinë dhe kjo është mënyra më e mirë që fëmija duhet të mësojë. Prindi duhet të jetë shëmbull për fëmijën. Një baba mund dhe duhet t’i mësojë djalit të tij të vogël mënyrën e urinimit. Kështu fëmija do të mësojë për funksionet trupore dhe për mënyrën si ato kryhen. Por kur zakonet e tualetit fëmija i ka formuar nuk ka më nevojë ta kesh atë në banjë si observues. Kur djali troket në derë dhe insiston të hyjë brënda nga që nuk ndjehet mirë që ju jeni të kyçur, i thoni të presë.
Duke thënë këto opinione duhet të theksojmë se të rriturit që sillen nëpër shtëpi lakuriq, duhet të jenë pa tjetër emocionalisht të shëndoshë. Shumë raste të incestit midis antarëve të familjes favorizohen edhe nga ardhja rrotull lakuriq nëpër shtëpi, veçanërisht kur prindi, njerku, vëllai më i madh, ose dikush tjetër në familje është psikologjikisht jo normal.
Në fund duhet të themi se fëmijët edhe në shoqëri të hapura ndjehen jo konfort me të rriturit që sillen lakuriq nëpër shtëpi. Ata gjejnë mënyra ta shprehin këtë pakënaqësi. Ata jo rallë u thonë prindërve ose të tjerëve që sillen lakuriq ose gjysmëlakuriq : ”Nuk mund të vishesh tani?” ose e thonë këtë indirekt duke mbyllur derën e banjës ku prindi është duke bërë dush. Prindërit që janë nudo duhet të jenë të ndjeshëm për t’i pranuar këto vrejtje të fëmijve dhe të përgjigjen menjëherë pozitivisht ndaj kërkesës së tyre
Siç e kuptoni problemet e edukimit seksual të fëmijve janë shumë komplekse dhe shumë individuale. Ato varen nga niveli kulturor, arsimor, ekonomik dhe nga zakonet që ka çdo familje e veçantë. Gjatë gjithë kohës që djali juaj do të jetë në rritje dhe zhvillim do të ketë edhe problemet e zhvillimit të tij seksual. Prindërit këtë edukim nuk duhet t’i a lënë spontaneitetit, por me përpjekje të përbashkëta dhe në akord me njeri tjetrin duhet ta bëjnë këtë lloj edukimi mbi baza shkencore.
Ne harxhojmë shumë energji, kohë dhe mjete financiare për 18 ose 20 vjet që t’u mësojmë fëmijve një profesion për jetën. Ndërsa për edukimin seksual, nga varet shumë jeta e tyre, nuk flasim asnjë fjalë. Ky është një budallallëk i yni kolektiv.
Për edukimin seksual të fëmijve në familje ka literaturë të bollshme në çdo gjuhë të botës, unë do t’u rekomandoja në gjuhen shqipe librin “Fëmijet duan të dinë për Seksin.”