Po qe se pyesni prindin, shokun, mësuesin se çfarë është AIDS, me siguri, që ata jo vetëm dinë emrin e sëmundjes, por do të jenë në gjendje t’u tregojnë diçka më shumë për të. Nuk ka asnjë dyshim, që edhe ju vetë dini diçka për AIDS-in (Acquired Immunodeficiency Syndrome) dhe për HIV-in (Human Immunodeficiency Virus).
AIDS është një nga sfidat më të mëdha, me të cilat përballet sot popullsia e të gjithë botës. Sot në botë ka mbi 44 milionë njerëz që jetojnë me HIV dhe AIDS. Ky është një numër shumë i madh dhe çdo vit gjithnjë e më shumë njerëz infektohen. Kjo do të thotë që çdo njeri duhet të dijë si ta mbrojë veten.
Për luftimin e kësaj sëmundjeje që ka prekur kaq shumë njerëz kudo në botë, përfshi dhe vendin tonë, ka shumë rëndësi kujdesi që do të bëjë çdo person për të mos u infektuar.
Duhet të njihet mirë origjina e sëmundjes, çfarë është dhe si e prek? ajo trupin e njeriut, veçanërisht, sistemin e tij imunitar.
Ka shumë njerëz të infektuar me HIV që jetojnë gjatë dhe bëjnë jetë të shëndetshme. Ky fakt duhet të shërbejë për të larguar çdo keqinformimin dhe konfuzionin që kanë njerëzit e shëndoshë dhe të infektuar për sëmundjen.
Në faqet e këtij libri ka gjithçka që duhet mësuar për HIV-in dhe për AIDS-in. Virusi dhe sëmundja do të shpjegohen që nga momenti kur një njeri infektohet në fillim me virusin e HIV-it, e deri në shfaqjen e të gjitha shenjave të sëmundjes. Do të diskutohen mënyrat se si njerëzit mund të mbrohen nga infektimi me HIV, si dhe mjekimet e reja që përdoren sot. Ndonëse historia e sëmundjes është e shkurtër, rreth një çerek shekulli, shkencëtarët dhe kërkuesit po punojnë shumë fort për ta luftuar sëmundjen. Në këtë luftë, edukimi i të rinjve për AIDS-in dhe HIV-in është me shumë rëndësi.