Gjatë gjithë historisë njerëzore, frika për sëmundjen dhe vdekjen ka ndikuar në mënyrën se si njerëzit i kanë trajtuar të sëmurët dhe ata që kanë qënë duke vdekur. Thuhet se: “Epidemitë sjellin më të mirën dhe më të keqen në shoqëri”. Gjatë epidemive janë vënë re aktet më të larta e më heroike të përkushtimit dhe vetë-sakrifikimit nga ana e mjekëve dhe ndihmësve të tyre, ashtu siç janë vënë? re edhe aktet e pashpirt të kriminalitetit dhe abandonimit të të sëmurëve.
Kur AIDS filloi të përhapej, njerëzit u? frikësuan se mos infektoheshin prej tij. Edhe kur siguroheshin nga mjekët specialistë se HIV nuk përhapet me kontakte rastësore, shumë njerëz ishin aq të frikësuar sa që nuk donin që fëmijët me AIDS të shkonin në shkolla me fëmijët e tyre. Ata nuk donin që njerëzit me AIDS t’u servirnin ushqimin në restorante, të jetonin në pallatet e tyre, ose të punonin në bizneset e tyre. Një numër i mirë i punonjësve të shëndetësisë refuzuan të trajtonin, madje, as të mos i preknin të sëmurët me AIDS. Në vitin 1992, kur shumë lojtarë të basketbollit nuk dëshironin që të luanin me Magic Johnson-in e infektuar me HIV, ai vendosi të tërhiqej nga sporti që e deshi aq shumë,? edhe pse akoma nuk kishte shfaqur shenjat e AIDS.
Ashtu ndodhi edhe tek ne një vit më parë, kur prindërit kërkuan të largoheshin nga shkolla ku mësonin fëmijët e tyre, dy fëmijë viktima të infektuar me HIV.
Sot, kur shumë njerëz e kanë kuptuar se kontaktet rastësore me të infektuarit me HIV janë pa rrezik, paniku dhe frika e viteve të para të epidemisë ka rënë.
Shteti dhe ligji duhet të mbrojnë njerëzit nga diskriminimi për punësimin, banimin, edukimin publik, trajtimin mjekësor dhe sigurimet shëndetësore shtetërore. Edhe pse flitet shumë për përkrahje për të prekurit nga HIV/AIDS, mbeten akoma të pa zgjidhura një numër kompleks çështjesh legale dhe etike. Një nga çështjet më të rëndësishme për shoqërinë është se si të mbrojë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, pa cenuar liritë civile të njerëzve të infektuar me HIV. Kjo çështje duhet të vendoset në qendër të debateve lidhur me politikat sociale dhe mjekësore.